Sot, në Manastir u mbajt debati i dytë nga gjashtë debatet publike të paralajmëruara mbi Propozim-ligjin e ri për Arsimin e Lartë, së bashku me stafin mësimor-shkencor nga Universiteti "Shën Klimenti i Ohrit" në Manastir dhe nga Universiteti "Shën Apostol Pavle" në Ohër. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, së bashku me përfaqësues të tjerë të Ministrisë, shpjegoi risitë më të rëndësishme në rregullativën e propozuar ligjore, duke theksuar se ligji siguron më shumë të drejta dhe mundësi për komunitetin akademik dhe shkencor, por edhe për studentët.
U diskutua për disa çështje të ngritura nga të pranishmit të punësuar në të dy universitetet, ndërsa u sqaruan edhe një sërë dilemash që lindën si pasojë e informacioneve të pasakta të plasuar në opinion nga aktorë të caktuar shoqërorë, qëllimi i të cilëve, siç tha Janevska, është të ulin efikasitetin e debatit publik dhe ta orientojnë atë në një drejtim tjetër.
“Jam mirënjohëse për çdo vërejtje dhe sugjerim konstruktiv për avancimin e zgjidhjes ligjore. Puna e përbashkët sjell cilësi, prandaj jam e bindur se do të miratojmë ligj modern dhe të zbatueshëm, i cili do ta përmirësojë arsimin e lartë dhe do t’i japë impuls të ri shkencës në vitet që vijnë”, theksoi ministrja.
Janevska shtoi se, pas përfundimit të të gjitha debateve publike të planifikuara, komentet do të përmblidhen dhe gjithçka që është e argumentuar do të integrohet në Propozim-ligjin e ri, të cilin Qeveria do të duhet ta përcjellë në Kuvend.