Universiteti „Goce Dellçev” në Shtip do të jetë nikoqir i shkollës verore prestigjioze për shkencëtarë dhe studiues të rinj nga Ballkani Perëndimor, e cila organizohet nën patronazhin e Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian. Kjo mundësi lindi nga partneriteti strategjik ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe kësaj qendre referuese të BE-së për shkencë dhe kërkim, i cili u vendos përmes nënshkrimit të marrëveshjes kornizë për bashkëpunim vitin e kaluar, i cili, siç ishte paralajmëruar edhe atëherë, do të sigurojë mundësi të reja për punë dhe krijimtari për shkencëtarët dhe studiuesit tanë përmes rrjetëzimit ndërkombëtar.
„ Nën këtë marrëveshje, UGD do të jetë mikpritës i kësaj shkolle verore prestigjioze me titull - Shkencë e nivelit evropian për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndërsa fokusi do të jetë në vlerësimin e ndotjes së ujit, ajrit dhe tokës. Shkolla do të mbahet prej më 14 deri më 18 shtator dhe i ftoj të gjithë shkencëtarët dhe studiuesit e rinj të interesuar nga Maqedonia, studentët e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve, si dhe studentët e talentuar të studimeve deridiplomike, që të aplikojnë për pjesëmarrje dhe të zhvillojnë kapacitetet e tyre personale për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore ekologjike”, theksoi Janevska.
Ajo theksoi rëndësinë e organizimit të ngjarjejs në bashkëpunim me Qendrën e Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian, që në fakt nënkupton të qenit pjesë e rretheve më të larta të shkencës evropiane.
„Kjo qendër është shërbimi shkencor i brendshëm i Komisionit Evropian, i cili siguron provat kyçe për hartimin e politikave evropiane. Si autoritet global, ajo përcakton standardet për matje, monitorim dhe certifikim, ndërsa kjo shkollë verore është mundësi e rrallë që njohuritë më të avancuara nga laboratorët evropianë të transferohen drejtpërdrejt në rajonin tonë”, shtoi ministrja.
Rektori i Universitetit Shtetëror në Shtip, Prof.Dr. Mirakovski, informoi se numri i pjesëmarrësve është i kufizuar në 25 persona nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Pjesëmarrja është falas, ndërsa Qendra e Përbashkët Kërkimore do të sigurojë mbështetje të plotë financiare për udhëtimin dhe akomodimin për 10 kandidatë të ranguar më lartë, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do t’i mbulojnë vetë këto shpenzime. Deri tani janë paraqitur 32 kandidatë, prej të cilëve shtatë janë nga Maqedonia e Veriut.
Shkolla verore e Qendrës së Përbashkët Kërkimore, e dedikuar për shkencëtarë dhe studiues të rinj, organizohet çdo dy vjet, ndërsa për herë të parë Maqedonia e Veriut do të jetë vend nikoqir.