Reagim i MASH-it: Nuk ka ulje të numrit të bursave studentore, LSDM manipulon opinionin publik

Reagim i MASH-it: Nuk ka ulje të numrit të bursave studentore, LSDM manipulon opinionin publik

Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdimisht punon për përmirësimin e standardit të studentëve maqedonas dhe në asnjë moment nuk është ngritur çështja e zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të bursave apo shfuqizimit të një kategorie të caktuar.

Të paragjykohet që tani se bursat janë zvogëluar është manipulim i pastër nga partia politike LSDM, sepse numri i bursave nuk rregullohet me zgjidhje ligjore, por vendoset në baza vjetore, në përputhje me Buxhetin dhe nevojat e shtetit.

Me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Standardin e Studentëve parashihet rishpërndarje më e mirë e bursave brenda kuotës që Ministria e përcakton çdo vit dhe e parasheh në konkurs, me qëllim që t’u dilet në ndihmë studentëve dhe të kemi bursa që bazohen në suksesin, nevojat e shtetit dhe tregun e punës.

Në pesë vitet e fundit, kuota për bursat sociale nuk është plotësuar, përkatësisht ato nuk janë ndarë në numrin e paraparë. Kjo është një statistikë pozitive dhe nuk duhet të sulmohet, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për “kategori sociale të qytetarëve”. Nga ana tjetër, kur kuota e një grupi nuk plotësohet, ajo nuk mund të transferohet në një grup tjetër dhe për këtë arsye mbeteshin bursa të pandara.

Ndryshimi i ligjit krijon bazë për dallim të qartë ndërmjet kategorive të bursave, për të cilat më pas, në baza vjetore, në bazë të Programit për zhvillimin dhe avancimin e standardit studentor dhe konkurseve, do të përcaktohet numri i bursave sipas kategorive dhe shuma e bursës për secilën kategori të veçantë.

Gjithashtu, i hedhim poshtë pa mëdyshje edhe manipulimet lidhur me kompensimin që paguajnë studentët për akomodim në konviktet studentore. Në asnjë nen të ndryshimeve të propozuara ligjore nuk është përcaktuar pjesëmarrja që do të paguajnë studentët, që të paragjykohet se ajo do të jetë më e lartë se ekzistuesja. Edhe pjesëmarrja, ashtu si bursat studentore, përcaktohet në baza vjetore me Programin.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon edhe për zgjidhje të re ligjore me të cilën do t’i marrë përsipër pagat e të punësuarve në konviktet studentore, me qëllim që të zvogëlohet barra mbi pjesëmarrjen që paguajnë studentët, nga e cila deri më tani financohen pagat e të punësuarve në konviktet studentore.

Më e rëndësishmja nga të gjitha është se këtë verë fillon rikonstruktimi i të gjitha konvikteve studentore, të cilat pas përfundimit do të jenë energjetikisht efikase, me komoditet të përmirësuar, pajisje dhe rregullim më bashkëkohor, me ç’rast nuk do të mbetet asnjë konvikt studentor pa u rinovuar. Manipulim i rëndë është ndarja e konvikteve në ato për “të varfër” dhe për “të pasur”, sidomos kur shteti po zbaton projekt të madh për rikonstruktimin e plotë të TË GJITHA konvikteve studentore.

Sa i përket masës së LSDM-së për krizën COVID, është thënë mirë në reagimin e tyre se ajo kishte të bënte vetëm me krizën COVID. E njëjta ishte e pazhvilluar dhe e pazbatueshme, pa kritere të përcaktuara se si të zbatohej, si të zgjidhej akomodimi privat, kush do të garantonte dhe kush do të kontrollonte sigurinë në akomodimin privat e të ngjashme. Askush nuk dëshiron që sërish të vendoset masë për situatë krize, megjithëse ekziston instrumenti “Dekret me fuqi ligjore”, me të cilin mund të ndërhyhet menjëherë në ligj. Megjithatë, masat duhet të jenë të zbatueshme në mënyrë që të mund të jenë masa të vërteta, e jo vetëm në letër.

Accessibility Menu