Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Fakulteti i Informatikës pranë Universitetin „Goce Dellçev“ në Shtip përgatitën Udhëzues për inteligjencën artificiale që do t'u ndihmojë mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë për ta përvetësuar më lehtë zbatimin e saj dhe t'ua transferojnë njohuritë nxënësve, të cilët nga ana tjetër do të duhet të mësojnë ta përdorin atë në mënyrë etike në arritjen e qëllimeve arsimore dhe të mbrohen nga manipulimi dhe keqpërdorimi i mundshëm i të dhënave personale.
Sot, në konferencë për shtyp, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, së bashku me Dekanin e Fakultetit të Informatikës, Prof. Dr. Sasho Koceski dhe Prof. Dr. Zdenka Stojanovska, theksuan se dokumenti është bazë e mirë për futjen graduale të inteligjencës artificiale në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoni.
“Në 120 faqe, udhëzuesi trajton në mënyrë gjithëpërfshirëse historinë e inteligjencës artificiale dhe përkufizimet e saj, llojet e inteligjencës artificiale, si të përdoren mjetet më të njohura të inteligjencës artificiale për krijimin dhe redaktimin e tekstit, për imazhe dhe multimedia, si të përdoren mjetet në fusha të veçanta si matematika, shkencat natyrore, gjuhët dhe letërsia, historia dhe shkencat shoqërore, por edhe si të dallohen keqpërdorimet e mundshme të të dhënave“”, theksoi ministrja Janevska.
Ministrja gjithashtu theksoi se dokumenti përmban rekomandime për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë, të cilët do të duhet të mësojnë se si ta transmetojnë më lehtë njohurinë për përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të inteligjencës artificiale, por gjithashtu edhe të njohin keqpërdorimet e mundshme të mjeteve teknologjike nga ana e të rinjve. Për nxënësit, ka rekomandime se si ta përdorin në mënyrë etike inteligjencën artificiale për qëllime arsimore dhe të njohin manipulimet dhe keqpërdorimet e mundshme të privatësisë.
„Udhëzuesi në formë elektronike do të ndahet me të gjitha shkollat, dhe shumë shpejt, së bashku me fakultetin dhe Byron për Zhvillimin e Arsimit, do të fillojmë trajnime për mësimdhënësit, respektivisht do të trajnohen mentorë të cilët më pas do t’ua transmetojnë njohuritë të gjithë të tjerëve në shkolla“, potencoi Janevska, duke shprehur falënderime për profesorët nga Fakulteti i Informatikës në Shtip për mbështetjen në futjen e inteligjencës artificiale në arsim, që siç u shpreh ajo, është hap krejtësisht logjik dhe i domosdoshëm në procesin e transformimit digjital, i cili do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë, efikasitetin dhe gjithëpërfshirjen e arsimit në Maqedoni.
Dekani i Fakultetit të Informatikës pranë Universitetit „Goce Dellçev“- Shtip, Sasho Koceski, tha se inteligjenca artificiale po zhvillohet me shpejtësi të madhe. Ai shtoi se është e vështirë që të përfshihen të gjitha në një dokument të vetëm, prandaj rekomandohet që udhëzuesi të përditësohet vazhdimisht. Në këtë version fillestar është dhënë pasqyrim gjithëpërfshirës i mbi 70 veglave të bazuara në inteligjencë artificiale, të cilat mund të përdoren në kontekst arsimor.
“Edukimi është parandalimi më i mirë. Më së miri është që të edukohen fëmijët, por edhe mësimdhënësit,” tha ai, duke theksuar se fëmijët kanë qasje në teknologji të avancuar çdo ditë, por edhe në inteligjencën artificiale.