Përfundimi i një hulumtimi nuk përfaqëson vetëm përmbylljen formale të një procesi të caktuar shkencor, por krijon mundësi për vlerësimin kritik të rezultateve të arritura, përmbylljen e çështjeve të caktuara dhe përcaktimin e drejtimeve për hulumtimet e ardhshme.
Këtë e theksoi Elena Ivanovska, sekretare shtetërore në Ministrinë e arsimit dhe shkencës, në konferencën e sotme të Institutit të historisë Kombëtare, të organizuar me rastin e përmbylljes së projektit „Burimet e historisë në Maqedoni – tërësia tematike religjia“.
Hulumtimi i realizuar nga Instituti i Historisë Kombëtare i kushtohet aspekteve historike të religjisë dhe rëndësisë së saj në zhvillimin shoqëror, kulturor dhe shpirtëror të popullit tonë.
- Ju historianët do të keni ende shumë punë, nga e cila e di se nuk frikësoheni dhe se do të vazhdoni të angazhoheni për ta kryer atë në mënyrë sa më efektive. Ndërsa ne, si institucione, përkatësisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria, natyrisht se do të vazhdojmë t’ju mbështesim. Jemi krenarë për ju, sepse i përcillni botës kuadrin e vërtetë historik të ekzistencës së Maqedonisë dhe të popullit maqedonas, deklaroi Ivanovska.
Ajo theksoi se gjatë vitit të kaluar, 2025, u financuan rreth 50 projekte shkencore-kërkimore me interes publik, të realizuara nga institucionet publike shkencore dhe të arsimit të lartë, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë dhe komuniteti i biznesit, në vlerë të përgjithshme prej 6 milionë eurosh. Ndër këto projekte bën pjesë edhe projekti i Institutit të Historisë Kombëtare.
- Jam e bindur se kemi bërë një punë të mirë. E kemi gjallëruar shkencën, e cila në të kaluarën ishte lënë pas dore. I kemi stimuluar hulumtuesit dhe punonjësit tanë shkencorë dhe, në këtë mënyrë, së bashku kontribuojmë në zhvillimin e mendimit shkencor-kërkimor në Maqedoni.
Mjete financiare për shkencën do të ketë edhe në të ardhmen, sepse jemi të vetëdijshëm se pa shkencë dhe arsim nuk ka as zhvillim të shtetit, shtoi sekretarja shtetërore Ivanovska.