Fillon trajnimi për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë për Programin „Aftësi për Adoleshencën“, i cili do të pilotohet në 50 shkolla fillore në klasën e shtatë. Trajnimet dyditore do të zhvillohen nga 27 tetori deri më 14 nëntor, në gjuhën maqedonase dhe shqipe, në Shkup, Strumicë, Shtip, Prilep, Koçan dhe Gostivar.
Byroja për Zhvillimin e Arsimit ka lidhur memorandum bashkëpunimi me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) për zbatimin e programit parandalues të Fondacionit Ndërkombëtar të Klubeve Lajons (LCIF), i përgatitur sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili zbatohet në 107 vende të botës.
Programi „Aftësi për Adoleshencën“ kontribuon në forcimin e aftësive sociale dhe emocionale tek nxënësit dhe ka për qëllim t’i përgatisë adoleshentët e rinj që të mos u nënshtrohen presionit të bashkëmoshatarëve, të bëjnë zgjedhje të shëndetshme dhe të mos përdorin substanca psikoaktive të dëmshme.