Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim nënshkruan Memorandum mirëkuptimi me qëllim mbështetjen e zhvillimit të kualifikimeve dhe programeve të trajnimit për sektorët e menaxhimit të mbetjeve dhe ekonomisë qarkore.
Partneriteti do të kontribuojë në përgatitjen e standardeve të profesioneve dhe kualifikimeve, planeve mësimore, programeve mësimore dhe programeve të trajnimit, në përputhje me kornizën Kombëtare të kualifikimeve në Maqedoni. Bashkëpunimi do të forcojë kapacitetet e institucioneve arsimore dhe të ofruesve të trajnimeve për zbatimin e programeve që do t'u sigurojnë njerëzve aftësitë e nevojshme për një sektor bashkëkohor dhe të sigurt të menaxhimit të mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Vendosja e këtij bashkëpunimi është pjesë e një programi të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili lidhet me projektin Rajonal për mbetjet e ngurta, të financuar nga BERZH. Projekti mbështet ndërtimin e deponive sanitare në përputhje me standardet evropiane, ndërtimin e stacioneve të transferimit dhe blerjen e pajisjeve të reja në rajonet e Pellagonisë dhe Jugperëndimit, rajonin e Pollogut dhe rajonet e Vardarit dhe Juglindjes.
Një sistem modern i menaxhimit të mbetjeve nuk varet vetëm nga infrastruktura e re, por edhe nga fuqia punëtore e kualifikuar, e aftë për ta menaxhuar sistemin në mënyrë efikase, për ta mirëmbajtur dhe për ta shfrytëzuar atë. Në këtë drejtim, iniciativa do të mbështesë krijimin e rrugëve të reja arsimore për nxënësit e shkollave të mesme, mësimdhënësit, personat e papunë, punëtorët që dëshirojnë të fitojnë aftësi të reja dhe të rriturit me përvojë përkatëse teknike, duke përfshirë edhe personat që përballen me pengesa në qasjen në arsimin formal dhe punësim.
“Me vendosjen e këtij bashkëpunimi, do të japim një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e një sistemi për menaxhimin e duhur të mbetjeve dhe, rrjedhimisht, në uljen e ndotjes së mjedisit. Infrastruktura është e rëndësishme, por po aq i rëndësishëm është edhe kuadri profesional. Do të krijojmë kuadrin profesional të nevojshëm për vendet ekzistuese të punës, por edhe për shumë vende të reja të ashtuquajtura të gjelbra të punës, që do të hapen në të ardhmen”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, pas nënshkrimit të memorandumit.
“Infrastruktura moderne për menaxhimin e mbetjeve kërkon fuqi punëtore të kualifikuar dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të realizohen plotësisht përfitimet mjedisore, ekonomike dhe sociale. Ky partneritet do të ndihmojë që projekti Rajonal për mbetjet e ngurta të shndërrohet në mundësi afatgjata për njerëzit, duke filluar nga trajnimet bazë për operatorët e menaxhimit të mbetjeve e deri te kualifikimet për pozita teknike dhe drejtuese. Investimi në aftësi është thelbësor për zhvillimin e një ekonomie qarkore në përputhje me standardet e BE-së dhe për sigurimin e përfitimeve të drejtpërdrejta për komunitetet nga ky investim i rëndësishëm”, deklaroi Fatih Turkmenogllu, udhëheqës i BERZH për Maqedoninë.
Udhëheqësi i Sektorit për bashkëpunim pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian, Stefano Elero, theksoi: „Tranzicioni drejt sistemit bashkëkohor dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të mbeturinave, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, nënkupton shumë më tepër sesa ndërtimin e infrastrukturës – që nënkupton krijimin e mundësive për njerëzit dhe sigurimin e kushteve që të gjithë të përfitojnë nga tranzicioni i gjelbër. Përmes këtij partneriteti, ne investojmë në aftësitë, njohuritë dhe kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, duke promovuar njëkohësisht mundësi gjithëpërfshirëse dhe shoqërisht të përgjegjshme për punësim. Duke ndërlidhur arsimin dhe trajnimet me nevojat e sektorit të menaxhimit të mbeturinave, i cili është në zhvillim e sipër, si dhe duke integruar parimet e përgjegjësisë shoqërore në proceset e prokurimit publik, mund të sigurojmë që ky investim të sjellë përfitime afatgjata ekologjike, ekonomike dhe sociale. Ambicia jonë është që tranzicioni i gjelbër të jetë jo vetëm i qëndrueshëm, por edhe gjithëpërfshirës, duke siguruar që askush të mos mbetet pas".
Ministria, BERZH dhe partnerët përkatës nga fusha e arsimit, trajnimit dhe sektori përkatës do të formojnë një grup të përbashkët pune për zhvillimin e kualifikimeve dhe programeve të trajnimit që do t’u përgjigjen nevojave operative, teknike dhe drejtuese të sistemit të ri rajonal për menaxhimin e mbetjeve.