Janevska: Më shumë siguri për të rinjtë në trafik përmes veprimit të koordinuar të shkollave, institucioneve, familjeve, sektorit civil dhe komuniteteve lokale

Janevska: Më shumë siguri për të rinjtë në trafik përmes veprimit të koordinuar të shkollave, institucioneve, familjeve, sektorit civil dhe komuniteteve lokale

Strategjia Kombëtare për Sigurinë në Trafikun Rrugor 2026–2030 paraqet dokument të rëndësishëm strategjik, i cili njeh kontributin e arsimit në krijimin e kulturës së trafikut dhe në avancimin afatgjatë të sigurisë në trafik, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në promovimin e Strategjisë së re.

„ Arsimi është një nga mekanizmat më të fuqishëm parandalues. Njohuritë, qëndrimet dhe shprehitë që kontribuojnë për pjesëmarrje të sigurt në trafik duhet të zhvillohen që në moshë të hershme, duke filluar nga edukimi parashkollor dhe duke vazhduar në të gjitha nivelet e procesit arsimor. Temat që lidhen me sigurinë në trafik janë të integruara në veprimtarinë edukativo-arsimore, përmes aktiviteteve mësimore dhe jashtëmësimore, si dhe fushatave të realizuara në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, organizatat profesionale dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale”, theksoi ministrja Janevska, duke shtuar se të dhënat për aksidentet në trafik dhe sjelljen e rrezikshme të të rinjve si pjesëmarrës në trafik tregojnë se nevojitet qasje edhe më e koordinuar.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, do të punojë në avancimin e mëtejshëm të përmbajtjeve dhe aktiviteteve edukativo-arsimore, përmes të cilave nxënësit do të fitojnë njohuri praktike, do të mësojnë të identifikojnë rreziqet në trafik dhe do të zhvillojnë shprehi për sjellje të përgjegjshme dhe të sigurt, duke përfshirë edhe përdorimin e duhur të pajisjeve mbrojtëse.

Janevska theksoi se edukimi i suksesshëm nuk është i mundur pa mësimdhënës të përgatitur dhe burime moderne mësimore, prandaj pjesë e aktiviteteve do të përqendrohen në përforcimin e kompetencave të kuadrit mësimor, si dhe në sigurimin e materialeve dhe mjeteve përkatëse edukative për punën me nxënësit.

Gjithashtu ajo mbështeti idenë për forcimin e zonave të sigurisë përreth shkollave, parqeve dhe qendrave të lagjeve, përmes partneriteteve me komunat dhe organizatat e shoqërisë civile. “Krijimi i mjedisit më të sigurt përreth vendeve ku qëndrojnë fëmijët është detyrim i përbashkët i të gjitha institucioneve dhe i gjithë komunitetit. Po aq e rëndësishme është që të rinjtë të fitojnë njohuri dhe aftësi bazë për të vepruar në mënyrë të duhur gjatë minutave të para kritike pas aksidentit të  trafiku, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe institucionet shëndetësore”, u shpreh ministrja.

Suksesi i Strategjisë varet nga aftësia për veprim të përbashkët dhe të koordinuar. Janevska u bëri thirrje shkollave, institucioneve, familjeve, sektorit civil dhe komuniteteve lokale që të ndërtojnë kulturë të qëndrueshme të sigurisë, e cila është e domosdoshme si përgjigje ndaj rreziqeve me të cilat përballemi si shoqëri.

Accessibility Menu