Ivanovska: Kemi arsim të mesëm profesional cilësor, i cili mundëson paraqitje të suksesshme në tregun e punës dhe përbën një bazë të mirë për avancim akademik

Ivanovska: Kemi arsim të mesëm profesional cilësor, i cili mundëson paraqitje të suksesshme në tregun e punës dhe përbën një bazë të mirë për avancim akademik

 

Shkolla e mesme „Dimitar Vllahov“ në Shkup  nga sot ka një kabinet modern të parukerisë dhe kozmetikës, i dedikuar për zhvillimin e mësimit praktik për nxënësit e drejtimit – shërbime personale. Hapësirat ekzistuese janë rinovuar plotësisht dhe janë pajisur me mjete bashkëkohore, përmes një investimi prej rreth 3,5 milionë denarësh, të siguruar nga Ministria e arsimit dhe shkencës, Qyteti i Shkupit dhe shkolla.

 Në përurimin e kabinetit për mësim praktik ishte e pranishme sekretarja shtetërore në MASH, Elena Ivanovska, e cila shprehu bindjen se arsimimi i nxënësve në këto hapësira do të jetë interesant, pasi ata do të punojnë në kushte reale dhe do të fitojnë e zhvillojnë më tej shkathtësi cilësore, me të cilat në të ardhmen do të mund të dallohen dhe të jenë profesionistë të suksesshëm në fushën e tyre.

“Besoj se ky shembull do të shërbejë si nxitje edhe për komunat dhe shkollat e tjera profesionale që të vazhdojnë të investojnë në avancimin e kapaciteteve arsimore dhe në krijimin e kushteve bashkëkohore për mësim praktik, ndërsa Ministria, natyrisht, do të vazhdojë t’i mbështesë ato në përputhje me mundësitë buxhetore”, tha Ivanovska.

Theksoi se arsimi profesional është në zhvillim e sipër dhe sot përbën njërën nga pikat e forta të sistemit arsimor maqedonas. Ai është tërheqës për të rinjtë, sepse ata shohin mundësi për një përfshirje të shpejtë dhe të suksesshme në tregun e punës, ndërsa atyre që dëshirojnë të avancojnë më tej në aspektin akademik, u ofron një bazë të mirë për këtë.

“Këtë vit, nga 16.000 nxënës, gati 11.400 u regjistruan në vitin e parë në shkollat e mesme profesionale, që përbën mbi 70% të gjeneratës. Kjo është evidentuar edhe në raportin e komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, si një nga objektivat e realizuara të agjendës së Reformave. Kemi 3.200 nxënës në paralele të arsimit profesional me mësim praktik . Këto shifra janë tregues i qartë i interesimit të madh për arsimin profesional”, shtoi Ivanovska.

Accessibility Menu