Në organizim të Fakultetit të Turizmit dhe Logjistikës së Biznesit pranë Universitetit “Goce Dellçev”, sot dhe nesër në Shkup po mbahet simpozium ndërkombëtar studentor i përkushtuar sfidave në botën e re të epokës digjitale. Studentë nga Maqedonia dhe disa vende të tjera prezantojnë punimet e tyre dhe diskutojnë për trendet më të fundit në zhvillimin teknologjik, ndërsa tubimin e hapi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr. Vesna Janevska, e cila theksoi se ngjarje të tilla konfirmojnë përkushtimin e komunitetit akademik ndaj zhvillimit të njohurive dhe mendimit kritik – dy vlera pa të cilat nuk ka përparim as marrëdhënie të përgjegjshme me të ardhmen.
„ Është e qartë se teknologjia bashkëkohore, dhe veçanërisht inteligjenca artificiale kohët e fundit, është pjesë e pandashme e jetës së përditshme dhe e të gjitha profesioneve. Ajo krijon mundësi të reja për përparim, por njëkohësisht cakton edhe një sërë pyetjesh ndaj të cilave duhet të qasemi me përgjegjësi, dhe përgjegjësia pritet më së shumti nga të rinjtë, sepse ata janë bartësit kryesorë të njohurive digjitale, por edhe ata që e vërejnë më parë kufizimet e saj,” tha ministrja Janevska.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon në mënyrë aktive për krijimin e kushteve që do t’u mundësojnë të rinjve të fitojnë kompetenca digjitale të rëndësishme dhe aftësi praktike. Përmes modernizimit të programeve mësimore, pajisjes së institucioneve arsimore me teknologji bashkëkohore, mbështetjes së kërkimeve dhe nxitjes së inovacionit, siç tha ministrja, synohet të krijohet sistem arsimor që do t’i përgjigjet nevojave të kohës së re.
“Krahas njohurive teknike, duam të inkurajojmë edhe të menduarit kritik, kreativitetin dhe ndërgjegjen etike tek të rinjtë, sepse ato janë themeli i përparimit të vërtetë,” shtoi Janevska, duke theksuar se kërkimet, idetë dhe rekomandimet që do të dalin nga simpoziumi do të jenë kontribut i vlefshëm për përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e një bote më të mirë digjitale, ku teknologjia do t’i shërbejë njeriut dhe jo e kundërta.