Janevska: Në politikat e MASH-it prioritet janë interesat e fëmijëve

Janevska: Në politikat e MASH-it prioritet janë interesat e fëmijëve

Gjatë shtatë viteve të qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, numri i nxënësve është ulur me 17 mijë. Për këtë arsye, tani është i domosdoshëm optimizimi i rrjetit shkollor. Kemi shumë shkolla periferike me vetëm dy ose tre nxënës, të cilët as nuk socializohen, as nuk kanë mundësi të garojnë me bashkëmoshatarët e tyre dhe as nuk përdorin teknologji bashkëkohore, pasi ajo mungon në shkollat e tyre. Prandaj, ata duhet të përfshihen në shkollat më të afërta më të mëdha, në mënyrë që të kenë proces edukativo-arsimor më cilësor. Kjo është në interes të tyre, ndërsa interesat e tyre janë prioritet në politikat e MASH. Me këtë rast, theksoj se asnjë mësimdhënës nuk do ta humbasë vendin e punës.

 

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetëve në Kuvend lidhur me optimizimin e rrjetit shkollor dhe spekulimet për gjoja largimin nga puna të mësimdhënësve.

 

„Gjatë dy viteve të kaluara të mandatit të Qeverisë, asnjë mësimdhënës nuk është larguar nga puna dhe nuk do të largohet as në periudhën që vjen. Të gjithëve u japim mundësinë t’i plotësojnë orët që u mungojnë përmes punës shtesë me nxënës të talentuar ose me nxënës që kanë ngecur në realizimin e programeve mësimore, si dhe përmes aktiviteteve shtesë mësimore dhe jashtëmësimore, udhëheqjes së seksioneve të ndryshme dhe aktiviteteve të ngjashme”, theksoi Janevska.

 

Kjo, siç theksoi ajo, bëhet edhe për shkak të nevojës që fëmijët të qëndrojnë më gjatë në shkollë, duke pasur parasysh se ata kanë shumë më pak orë mësimore se mesatarja evropiane.

 

“Nxënësit në Maqedoni deri në moshën 14-vjeçare kalojnë 6.816 orë në shkollë, ndërsa mesatarja në vendet anëtare të OECD-së është 7.775 orë. Po përpiqemi ta arrijmë këtë standard dhe që nxënësit tanë të mos renditen të fundit në testimet PISA.”

 

Duke iu përgjigjur pyetjes se deri ku ka arritur ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Sellcë të Tetovës, Janevska tha se ai objekt është ndërtuar gjatë qeverisjes së mëparshme, por jo plotësisht, përkatësisht nuk ishin parashikuar mjete për fasadën, rregullimin e hapësirës përreth dhe vendosjen e murit mbështetës në njërën nga anët ku ekziston rreziku nga rrëshqitja e dheut.

 

Më vjen keq që është kështu, por ne jemi Qeveri e përgjegjshme dhe do ta përfundojmë. Që të mos shkatërrohen mjetet e investuara, si në FSHIIK dhe FKK, të cilat me vite mbetën të papërfunduara dhe garnitura e mëparshme qeverisëse nuk deshi t’i përfundonte”, tha Janevska.

Accessibility Menu