Ministria e Arsimit dhe Shkencës investon rreth 5,5 milionë euro për avancimin e infrastrukturës arsimore në Ohër. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe UNDP-së, janë rikonstruktuar dhe pajisur plotësisht Qendra Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim „Vanço Pitosheski“ dhe kabinetet dhe punëtoritë për mësim praktik në Qendrën Shkollore Elektromekanike „Shën Naumi i Ohrit“, ndërsa Investimi i radhës i madh është rinovimi i plotë i Konviktit Shtetëror Studentor „Nikolla Karev“.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr.Vesna Janevska, gjatë vizitës së sotme në Gjimnazin „Shën Klimenti i Ohrit“ në Ohër, ku së bashku me kryetarin e Qeverisë, Prof. Dr. Hristijan Mickoski, dhe kryetarin e Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, inspektuan punimet ndërtimore për rikonstruimin e çatisë dhe zëvendësimin e zdrukthtarisë në shkollë. Projekti po realizohet nga Komuna e Ohrit dhe ka vlerë prej mbi 50 milionë denarë.
“Urime për pushtetin lokal për këtë investim të rëndësishëm, me të cilin më në fund do të tejkalohen problemet shumëvjeçare në gjimnaz. Nuk do të ketë më rrjedhje të çatisë, klasa të ftohta gjatë dimrit apo vapë të padurueshme gjatë verës. Nxënësit dhe mësimdhënësit do të kenë kushte shumë më të mira për punë dhe mësim”, tha Janevska.
Ajo gjithashtu informoi se për rikonstruimin dhe pajisjen e plotë Qendrës Rajonale për Arsim Profesional dhe Trajnim „Vanço Pitosheski“ janë investuar mbi 120 milionë denarë. Gjithashtu, me investim prej 19,5 milionë denarë janë rinovuar kabinetet dhe punëtoritë për mësim praktik në Qendrën Shkollore Elektromekanike „Shën Naumi i Ohrit“.
Projekti i ardhshëm kapital, siç bëri të ditur Janevska, është rikonstruimi i plotë i Konviktit Shtetëror Studentor „Nikolla Karev“, investim me vlerë rreth 200 milionë denarë.
“Konvikti studentor do të rinovohet plotësisht, do të jetë energjetikisht efikas dhe i pajisur sipas standardeve bashkëkohore, me kushte që studentët i meritojnë. Pres gjithashtu udhëheqësi të re dhe të përgjegjshme, i cili do ta menaxhojë me sukses institucionin dhe nuk do të krijojë borxhe të panevojshme”, deklaroi Janevska.
Ministrja theksoi se cikli i përgjithshëm i investimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Ohër arrin në rreth 340 milionë denarë, përkatësisht 5,5 milionë euro.
“Investime të tilla në arsim nuk janë realizuar në të kaluarën. Ne vazhdojmë me përkushtim edhe më të madh për nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe të gjithë të punësuarit në institucionet arsimore. Kemi detyrim të qartë për ta modernizuar sistemin arsimor dhe po punojmë me përkushtim për arritjen e standardeve evropiane në arsim”, porositi Janevska.