Ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, hodhi poshtë akuzat e LSDM-së për kushtet e këqija në konviktin studentor „Stiv Naumov“, duke theksuar se studentët qëndrojnë në një objekt bashkëkohor dhe të rinovuar, ndërsa mangësitë e mundshme teknike do të mënjanohen në kohë nga kontraktuesi, duke qenë se objekti është ende në periudhën e garancisë.
Janevska sot zhvilloi një inspektim të drejtpërdrejtë në konviktin studentor, pasi paraprakisht ishin ftuar mediat, si dhe përfaqësuesit e partisë politike LSDM, të cilët nuk iu përgjigjën ftesës. Gjatë vizitës në konvikt, ministrja theksoi se pretendimet për shembje të mureve, rrjedhje të çative dhe mangësi të tjera serioze nuk përputhen me gjendjen reale.
„Sot pashë se LSDM-ja mbajti një konferencë për shtyp. Partia që është sinonim i hipokrizisë tha se është në krah të studentëve. Ja se si LSDM-ja ishte në krah të studentëve gjatë kohës kur ishte në pushtet. Studentët jetonin në kushte të tmerrshme në konvikte. Tani gjendja është krejt ndryshe. Kjo Qeveri kujdeset vërtet për të rinjtë. Kishit mundësinë të hynit në konvikt dhe ta shihnit vetë“, deklaroi Janevska.
Ministrja theksoi se konvikti studentor „Stiv Naumov“ është rikonstruktuar nga një kompani austriake, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, dhe se përfaqësuesit evropianë, gjatë vizitave të tyre, e kanë vlerësuar atë si një nga konviktet më moderne në Ballkan.
„Jo vetëm ne, por edhe përfaqësuesit evropianë konfirmuan se ky është një nga konviktet më të bukura dhe më moderne në Ballkan, madje edhe në krahasim me disa vende të tjera më gjerë“, theksoi ministrja.
Lidhur me vërejtjet për disa mangësi teknike, Janevska tha se në objektet e sapondërtuara mund të shfaqen probleme të caktuara, por theksoi se konvikti është ende në periudhën e garancisë dhe se kompania kontraktuese do të jetë e detyruar t'i mënjanojë të gjitha defektet e konstatuara.
„A mund të ndodhë ndonjë incident? Po, mund të ndodhë. Konvikti është i ri dhe, edhe kur qytetarët blejnë një banesë, mund të ndodhë që diçka të mos jetë pikërisht ashtu siç duhet. Konvikti është ende në periudhën e garancisë, kompania është e njohur dhe gjithçka që duhet të riparohet do të riparohet. Ne do të insistojmë që kjo të zbatohet. Por, pretendimet se po shemben muret, se po rrjedhin çatitë apo se po ndodh diçka tjetër e ngjashme, nuk janë të vërteta. Ju vetë e patë“, deklaroi ajo.
Ministrja u bëri thirrje familjeve të studentëve që të mos bien pre e përpjekjeve të partive politike dhe personave të tjerë keqdashës për t'i shqetësuar me informacione se fëmijët e tyre janë të vendosur në kushte të pasigurta.
„Fëmijët e tyre jetojnë në kushte të mira, të cilat deri më tani nuk kanë ekzistuar në këtë vend, dhe do të vazhdojnë të jetojnë në kushte të tilla. Nëse kanë çfarëdo vërejtjeje lidhur me qëndrimin në konvikt, ne do ta përmirësojmë atë“, tha Janevska.