Ministria e arsimit dhe shkencës, në bashkëpunim me COST-in (European Cooperation in Science and Technology), organizoi mbledhjen e 24-të e Komitetit shkencor të COST-it (24th Meeting of the Scientific Committee), e cila u mbajt më 29 dhe 30 tetor 2026 në Ohër.
Komiteti Shkencor i COST-it është organ profesional këshillëdhënës, i cili kontribuon në përcaktimin e drejtimeve shkencore dhe teknologjike të COST-it, sigurimin e cilësisë shkencore, si dhe shqyrtimin e propozim-projekteve dhe rezultateve të rrjeteve kërkimore.
Mbledhjen e komitetit Shkencor të COST-it e kryesoi prof. dr. Vlatko Ilieski, nga Fakulteti i Veterinarisë pranë Universitetit“Shën Kirill dhe Metodij”përfaqësuesi maqedonas, i cili njëkohësisht është zëvendëskryetar aktual i Komitetit.
Fjalë përshëndetëse mbajti prof. dr. Zoran Popovski nga Fakulteti i shkencave bujqësore dhe ushqimore, në cilësinë e zëvendëskryetarit aktual të COST-it dhe kryetarit të komitetit ekzekutiv të COST-it në kuadër të këtij programi të BE-së. Në fjalimin e tij ai prezantoi arritjet e deritanishme kombëtare në kuadër të aktiviteteve të COST-it.
Në kuadër të mbledhjes u mbajtën prezantime nga përfaqësues të komunitetit akademik dhe kërkimor maqedonas, të cilat iu kushtuan projekteve shkencore, rrjeteve kërkimore dhe ndërlidhjes së shkencës me hartimin e politikave.
Prezantimet e pjesëmarrësve nga Maqedonia përfshinë disa tema të rëndësishme:
· Aleksandar Stamboliev, EIT Community Officer, prezantoi rolin e EIT Community Hubs dhe arritjet e tyre në vend.
· Prof. Marina Andeva, nga Fakulteti i shkencave politike pranë Universitetit American College Shkup, trajtoi temën „Nga ENTAN në FLARE: ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrjeteve të suksesshme kërkimore të COST-it“.
· Prof. Aleksandra Martinovska-Stojçevska, nga Fakulteti i shkencave bujqësore dhe ushqimore pranë Universitetit “Shën Kirill dhe Metodij” prezantoi temën „Nga kërkimi shkencor te politikat: shembuj të bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik dhe hartuesve të politikave në sektorin agro-ushqimor“.
Organizimi i kësaj mbledhjeje ndërkombëtare në Ohër paraqet një mundësi të rëndësishme për afirmimin e kapaciteteve kombëtare shkencore dhe kërkimore, si dhe për thellimin e bashkëpunimit me komunitetin shkencor evropian.
Ministria e arsimit dhe shkencës mbetet e përkushtuar në avancimin e veprimtarisë shkencore dhe kërkimore, mbështetjen e shkencëtarëve dhe studiuesve, si dhe forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar, me qëllim përfshirjen më të madhe të komunitetit vendas shkencor dhe kërkimor në hapësirën Evropiane të kërkimit.