Me gjashtë milionë euro, vitin e kaluar Qeveria e Maqedonisë financoi zbatimin e rreth 50 projekteve kërkimore-shkencore me interes publik, të cilat realizohen nga institucionet publike shkencore dhe të arsimit të lartë, Akademia e shkencave dhe e arteve të Maqedonisë dhe komuniteti i biznesit. E kemi gjallëruar dukshëm veprimtarinë shkencore dhe sot tashmë po fillojmë t’i shohim rezultatet e këtyre projekteve.
Këtë e theksoi ministrja e arsimit dhe shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, në hapjen e konferencës shkencore ndërkombëtare të IPS-së (Institutit Publik Shkencor) për Pronësinë Intelektuale – „Pronësia intelektuale dhe transformimi digjital në shoqërinë maqedonase“, e cila organizohet në kuadër të projektit „Faktorët e menaxhimit të pronësisë intelektuale dhe transformimit digjital në Maqedoni“, të financuar nga Ministria e arsimit dhe shkencës.
„Në fokus të këtij projekti është ndikimi i transformimit digjital mbi kuadrin ligjor për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Është e rëndësishme që kjo çështje të jetë objekt i hulumtimit, sepse zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe digjitalizimi i përshpejtuar hapin mundësi të reja, por njëkohësisht paraqesin edhe sfida serioze për kuadrin ekzistues ligjor dhe rregullator. Mbrojtja e të drejtave të autorit, markave tregtare, patentave, sekreteve tregtare dhe të dhënave personale marrin një dimension të ri dhe janë të domosdoshme që këto procese të analizohen në mënyrë sistematike dhe shkencore, në përputhje me tendencat bashkëkohore evropiane dhe botërore“, tha Janevska.
„Ministrja theksoi se hulumtimi tashmë e ka forcuar lidhjen ndërmjet shkencës dhe vendimmarrësve, profesionistëve të drejtësisë dhe institucioneve që kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e pronësisë intelektuale.“
„ Si ministre e arsimit dhe shkencës, jam krenare jo vetëm për këtë projekt, por edhe për të gjitha projektet e tjera që i kemi mbështetur si Qeveri gjatë vitit të kaluar. Ato janë të rëndësishme, sepse konfirmojnë rolin e shkencës si nxitëse të zhvillimit dhe si partnere e rëndësishme në hartimin e politikave publike të bazuara në njohuri dhe dëshmi shkencore“, shtoi Janevska.
Theksoi se synimi i Qeverisë është që puna kërkimore-shkencore të prodhojë rezultate që do të kenë vlerë reale për institucionet, ekonominë dhe qytetarët. Për këtë arsye, buxheti për shkencën është dyfishuar. Gjithashtu, është mundësuar qasja falas në bazat më të njohura shkencore globale „Web of Science“ dhe „Scopus“ për të gjithë shkencëtarët dhe profesorët akademikë maqedonas.
MASH-i mbulon shpenzimet për publikimin e punimeve shkencore në revista me faktor ndikimi, për organizimin e konferencave shkencore vendore dhe pjesëmarrjen në konferenca shkencore ndërkombëtare, si dhe shpenzimet për botimin e përmbledhjeve të punimeve shkencore.