„Dhuna mes bashkëmoshatarëve mund të ndalet vetëm nëse të gjithë edhe institucionet, mësimdhënësit dhe e gjithë shoqëria angazhohemi me seriozitet të plotë. Megjithatë, roli i prindërve është veçanërisht i rëndësishëm. Në shumë familje mungon kujdesi dhe përkushtimi i duhur ndaj fëmijëve. Jo në të gjitha, por në një numër të madh familjesh mungon pikërisht komponenti edukativ, i cili është themeli i rritjes dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë panelit edukativ për prindërit dhe kujdestarët e nxënësve me temë “Dhuna mes bashkëmoshatarëve”, i cili u mbajt sot në Shtëpinë e Kulturës “11 Tetori” në Komunën e Gazi Babës.
“Rasti i fundit i dhunës mes bashkëmoshatarëve tregoi fëmijë me mungesë empatie dhe me vlera të shtrembëruara. Disa ushtrojnë dhunë ndaj një fëmije, ndërsa të tjerët qëndrojnë anash, e incizojnë ngjarjen dhe argëtohen, në vend që ta ndihmojnë dhe ta mbrojnë. Kjo dhunë është alarm për të gjithë shoqërinë. Ajo është pasojë i mungesës së lidhjes edukative ndërmjet prindërve dhe fëmijëve”, tha Janevska, duke shtuar se pa angazhimin e prindërve, çdo nismë për parandalimin dhe trajtimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve mbetet joefektive.
Ministrja theksoi se pikërisht për këtë arsye, në nivel kombëtar janë iniciuar takime të drejtpërdrejta me prindërit e nxënësve dhe me mësimdhënësit, siç ishte edhe paneli i sotëm. Qëllimi është që problemet të trajtohen hapur, të dëgjohen sfidat me të cilat përballen familjet dhe shkollat, si dhe të shkëmbehen ide dhe iniciativa për veprim të përbashkët në parandalimin dhe luftimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve.
Ministrja paralajmëroi vendosmëri në luftën kundër kësaj dukurie të dëmshme që të rriturit ua imponojnë fëmijëve, si dhe një përgjigje të vendosur dhe rigoroze institucionale.
„Përgjegjësi duhet të mbajnë edhe prindërit. Kam biseduar me ministrin e Punëve të Brendshme dhe do të pasojnë masa ndëshkuese ndaj të gjithë të përfshirëve, si edhe ndaj prindërve të tyre. Shkaku më i shpeshtë i dhunës mes bashkëmoshatarëve është dhuna në familje dhe neglizhimi i fëmijëve”
Aktualisht, në procedurë në Kuvend janë ndryshime ligjore që parashikojnë gjoba për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve për të cilët konstatohet se kanë kryer dhunë mes bashkëmoshatarëve në shkollë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës vitin e kaluar përgatiti dhe zbatoi një sërë masash për përballimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Me ndryshime ligjore, ajo i obligoi shkollat që në programet vjetore
të punës të parashikojnë aktivitete për promovimin e mirëqenies së nxënësve, mbrojtjen nga dhuna dhe abuzimi, parandalimin e diskriminimit, përmirësimin e komunikimit etj.
Janë përgatitur udhëzues për mësimdhënësit për përballimin e dhunës fizike mes bashkëmoshatarëve në shkolla, si dhe për raportimin e dhunës kibernetike.
Shërbimet profesionale në shkolla u përforcuan me angazhimin e kuadrit aty ku kishte mungesë, si dhe u rikthye kujdestaria e mësimdhënësve gjatë pushimeve në korridore dhe në oborret e shkollave.
Takimet me prindërit do të vazhdojnë, ashtu si edhe trajnimet për bashkëpunëtorët profesionalë për njohjen e dhunës në familje përmes sjelljes së fëmijëve në shkollë dhe për parandalimin e shndërrimit të saj të mëtejshëm në dhunë mes bashkëmoshatarëve. Deri më tani janë realizuar trajnime për bashkëpunëtorë profesionalë nga rreth 30 komuna në Maqedoni, në bashkëpunim me Odën e Psikologëve, MPB-në dhe Ministrinë e Politikës Sociale.