Arsimi i lartë dhe shkenca do të marrin kornizë të re ligjore që ofron shumë më tepër mundësi për profesorët, shkencëtarët, hulumtuesit dhe studentët për zhvillim personal dhe për kontribut në ndërtimin e një shoqërie të bazuar në njohuri, aftësi, arritje shkencore dhe inovacione. Prej një viti e gjysmë po zhvillojmë proces plotësisht transparent dhe shpreh mirënjohje ndaj komunitetit akademik dhe fushës shkencore, si dhe ndaj të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar në hartimin e paketës së re të ligjeve.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në pres konferencën e sotme në Qeveri, ku së bashku me kryeministrin Prof. Dr. Hristijan Mickoski dhe rektorët e gjashtë universiteteve shtetërore trajtuan nevojën dhe procesin e përgatitjes së propozim-Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, si dhe ligjet për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe për aktivitetet për veprimtarinë kërkimore-shkencore
“U takuam me të gjithë, i dëgjuam të punësuarit në universitetet publike, në ato private, në institucionet shkencore dhe në ASHAM. Pranuam numër të madh sugjerimesh konstruktive, ndërsa vërejtjet kritike të komunitetit akademik dhe shkencor ndihmuan shumë në përgatitjen e versionit më të mirë të ligjit. Ky nuk është debat i shtirur, i tillë nuk do të zgjaste kaq gjatë. Nuk është parimi i punës i vitit 2018, kur ligjet silleshin nga kabineti i ministrit”, tha Janevska.
Ministrja u ndal veçanërisht te risitë dhe përfitimet nga Ligji i ri për Arsimin e Lartë, duke theksuar se ai ofron meritokraci përmes treguesve të produktivitetit kërkimor, ndërkombëtarizimit dhe bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, matshmëri të cilësisë, dukshmëri të institucioneve të arsimit të lartë dhe të stafit akademik, lehtësira për studentët dhe mundësi për përvetësimin e njohurive më të avancuara përmes programeve studimore më cilësore dhe më shumë trajnim praktik, si dhe modularitet në mësimdhënie. Është paraparë intensifikimi i pjesëmarrjes së komunitetit të biznesit në hartimin e programeve studimore dhe vlerësimin e tyre, me qëllim përshtatjen ndaj ndryshimeve në tregun e punës dhe në shoqëri.
Janevska theksoi gjithashtu se procesi i hartimit të zgjidhjeve ligjore ishte vështirësuar për shkak të lajmeve të rreme dhe dezinformatave të përhapura nga qendra të ndryshme me ndikim mbi opinionin publik, ndërsa si shembuj përmendi pretendimet për cenimin e autonomisë së universiteteve, ndërprerjen e studimeve me korrespodencë dhe heqjen e fondit për mbulimin e shpenzimeve për publikimin e punimeve shkencore në revista ndërkombëtare shkencore.
„Theksoj se rezistenca e pabazë ndaj ndryshimeve pozitive, veçanërisht ajo politike dhe vetëm për shkak të rivalitetit, nuk duhet të jetë më kërcënim apo pengesë për zhvillimin e arsimit të lartë dhe për stimulimin e shkencës. Uniteti është i domosdoshëm, sepse ky qëllim-përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë - është në fakt edhe detyrim i vendit në Agjendën e Reformave dhe përgjegjësia është e përbashkët”, potencoi Janevska, duke shtuar se shteti do të sigurojë të gjitha burimet dhe mekanizmat e domosdoshëm për zbatimin dinjitoz të rregullores së re ligjore, gjë që do të parandalojë rënien e mëtejshme të cilësisë së arsimit të lartë dhe do të mundësojë përparim në afat të mesëm.