Me investim prej 36,7 milionë denarë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, po zgjerohet kapaciteti i Shkollës Fillore “Strasho Pinxhur” në komunën Gjorçe Petrov. Po ndërtohet objekt i ri me sipërfaqe prej 700 metra katrorë, i cili do të disponojë 6 klasa dhe tualete, dhe me këtë do të krijohen kushte për vendosjen e mësimit me një turn në vitin e ardhshëm kalendarik.
Sot, në vendosjen e gurthemelit, morën pjesë kryetari i Qeverisë Prof. Dr. Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska dhe kryetari i komunës Aleksandar Stojkoski.
“Vendosja e mësimit me një turn në shkolla është një angazhim i fortë i Qeverisë dhe i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sepse përfitimet janë të shumta - fëmijët janë më të përqendruar kur orët zhvillohen në mëngjes. Ata qëndrojnë më gjatë në shkollë, gjë që është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh se nxënësit tanë kanë 900 orë më pak krahasuar me bashkëmoshatarët evropianë deri në moshën 15-vjeçare. Për më tepër, mundësohet socializim më i madh dhe ulen kostot e funksionimit të shkollave, ndërsa kursimet mund të rialokohen për qëllime të tjera të dobishme”, tha ministrja Janevska.
Gjithashtu ministrja Informoi se vitin e kaluar mësimi me një turn u realizua në 150 shkolla, ndërsa këtë vit është vendosur në 200 objekte shkollore. Për zgjerimin e këtij koncepti të punës, do të investohet në rritjen e kapaciteteve të shkollave.
“Do të vazhdojmë me investime në infrastrukturën arsimore edhe në periudhën që vijon. Aktualisht kemi 30 investime ndërtimore aktive si Ministri, në vlerë prej 16 milionë euro, ndërsa shumë shpejt do të fillojnë edhe disa të reja, mes tyre edhe zgjerime të kapaciteteve të objekteve ekzistuese shkollore për të mundësuar mësim me një turn për sa më shumë nxënës dhe mësimdhënës”, shtoi ministrja.