Infrastruktura arsimore në Maqedoni po modernizohet me ritëm të përshpejtuar dhe me mbështetje të madhe nga Bashkimi Evropian, Banka Gjermane për Zhvillim - KfW dhe Fondi Rajonal për Efikasitetin Energjetik. Së bashku kemi krijuar kornizë financiare prej 86 milionë eurosh, me të cilën do të realizohen 16 investime kapitale - do të rikonstruktohen 9 konvikte shtetërore studentore dhe 7 qendra burimore për fëmijë dhe të rinj me nevoja të veçanta arsimore.
Këtë e theksoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila së bashku me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, ambasadori i BE-së, Michalis Rokas dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali, vizituan Konviktin Studentor „Stiv Naumov“ në Shkup, rikonstruksioni i të cilit është një nga investimet e përmendura dhe pritet të përfundojë plotësisht së shpejti.
“Ky konvikt studentor do të jetë modern dhe me efikasitet të lartë energjetik në të gjitha objektet në përbërje të tij. Së bashku me konviktin „Kuzman Shapkarev“ në qendër të Shkupit, do të jenë dy konviktet e para tërësisht të rinovuara dhe të gatshme për studentët nga viti i ri akademik”, tha Janevska, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Sa i përket transformimit të të gjitha 16 objekteve në ndërtesa moderne dhe me efikasitet të lartë energjetik, informoi se shteti ka siguruar 60 milionë euro nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), 22 milionë euro janë grante të pakthyeshme nga BE-ja të cilat e lehtësojnë ndjeshëm barrën mbi buxhetin publik, ndërsa rreth 4 milionë euro janë siguruar nga buxheti i MASH-it.
"Ne jemi vend në zhvillim dhe mbështetja që marrim ka rëndësi të madhe për përshpejtimin e zhvillimit dhe integrimin e arsimit tonë kombëtar në hapësirën evropiane të arsimit. Besoj se në të ardhmen do të kemi edhe më shumë investime të tilla, madje edhe më të mëdha, së bashku me Bashkimin Evropian", shtoi ministrja.