Në lagjen „Bukovski Livadi” të Manastirit po realizohen akivitetet për përshtatjen e objektit, i cili deri në fund të këtij viti do të bëhet shkollë e re rajonale e ShF „ Kole Kaninski“. Bëhet fjalë për investim me vlerë prej 31 milionë denarë që po realizohet nga pushteti lokal me mbështetjen e Qeverisë. Sot, ecurinë e punimeve në terren e inspektuan kryeministri Prof. Dr. Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Vesna Janevska dhe kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski.
Janevska theksoi se Qeveria vazhdon me investime intensive për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, me qëllim që të gjithë nxënësit të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor, pavarësisht vendbanimit të tyre.
„Urime për këtë investim të rëndësishëm të Komunës së Manastirit, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë. Është e rëndësishme të investohet aty ku ka nevojë reale, të avancohet infrastruktura arsimore dhe kudo të krijohen kushte për arsim cilësor. Me përshtatjen e këtij objekti, i cili do të disponojë pesë klasa, bibliotekë dhe nyje sanitare, përfshirë edhe hapësira të përshtatura për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore, fëmijët nga lagjja “ Bukovski Livadi” do të mund ta përfundojnë arsimin fillor në vendbanimin e tyre, në vend që, si deri tani, të udhëtojnë çdo ditë në vendbanime të tjera. Në këtë mënyrë u kursejmë kohë dhe ata do të mund t’i kushtohen më shumë mësimit dhe të arrijnë rezultate edhe më të mira", deklaroi Janevska.
Ministrja theksoi se ky është vetëm një pjesë e ciklit të rëndësishëm investues që po realizohet në Manastir me mbështetjen e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
"Komuna nuk është e vetme në përpjekjet për arsim më të mirë. Janë siguruar mjete për rreth 15 investime infrastrukturore. Ministria tashmë ka përfunduar rikonstruksionin e sallës sportive në ShFK „Elpida Karamandi”, ndërsa në rrjedhë është ndërtimi i njërës prej tri sallave të reja sportive shkollore. Po finalizohet ndërtimi i shtatë terreneve sportive shkollore, do të rikonstruktohen katër shkolla, ndërsa nga viti i ardhshëm fillon edhe rikonstruksioni i Konviktit Studentor „ Koço Racin” dhe Qendrës Burimore për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Bëhet fjalë për cikël investиmesh me vlerë mbi 600 milionë denarë, përkatësisht mbi 10 milionë euro, përmes të cilit do të përmirësohen ndjeshëm kushtet për arsim dhe sport në Manastir", theksoi Janevska.
Ajo përgëzoi pushtetin lokal dhe të gjitha institucionet e përfshira, si dhe shprehu pritshmërinë që të gjitha projektet e planifikuara të realizohen me sukses dhe në kohë, në interes të nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë komunitetit lokal.