Gjatë tri viteve të fundit shkollore, në shkolla raportohen mesatarisht rreth 50 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve në vit. Kjo tregon se vëllimi i dhunës nuk po rriten, por shqetësues është fakti se po rritet brutaliteti në një pjesë të rasteve të raportuara. Prandaj, institucionet në nivel qendror, me mbështetjen e vetëqeverisjeve lokale, sektorit civil dhe partnerëve ndërkombëtarë, po i forcojnë si mekanizmat parandalues, ashtu edhe mekanizmat ndëshkues.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në diskutimin e sotëm në panel me temë “Dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve dhe vandalizmi”, të organizuar në Ohër me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë më 12 Gusht, nga Këshilli për të Rinj, i cili vepron nën patronazhin e Presidentes së shtetit, Prof. Dr. Gordana Siljanovska-Davkova.
“Është e qartë se kemi sfidë dhe duhet ta zgjidhim. Vlerësoj se më të rëndësishme në luftën kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve janë aktivitetet parandaluese. Prandaj, me ndryshimet ligjore të vitit të kaluar, i obliguam shkollat që në programet e tyre vjetore të planifikojnë aktivitete për promovimin e mirëqenies së nxënësve, mbrojtjen nga dhuna, abuzimi dhe neglizhimi, parandalimin e diskriminimit, përmirësimin e komunikimit etj.”, theksoi Janevska.
Ajo theksoi se po forcohen edhe shërbimet profesionale, përmes angazhimit të stafit aty ku ka pasur mungesë, ndërsa janë rikthyer edhe kujdestaritë e mësimdhënësve gjatë pushimeve në korridoret dhe oborret e shkollave, në vend që këtë detyrë ta kryenin nxënësit.
Ministrja informoi se, në bashkëpunim me “Telekom” dhe UNICEF-in, është hartuar udhëzues për përballimin e bullizmit kibernetik. Edhe pse deri më tani në MASH nuk janë raportuar raste të këtij lloji të dhunës, udhëzuesi përbën një mjet të dobishëm për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për identifikimin dhe parandalimin e dhunës në internet.
Në bashkëpunim me kompaninë “Makpetrol” është hartuar edhe Udhëzuesi për përballimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve në shkolla, i cili bazohet në situata dhe shembuj realë për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme. Paralelisht, në bashkëpunim me Koalicionin e Organizatave Rinore – „ SEGA” , MASH-i po punon për përgatitjen e standardeve kombëtare për shkolla të sigurta.
“Analizat tregojnë se një nga shkaqet kryesore të dhunës mes bashkëmoshatarëve është dhuna në familje, si dhe mungesa e kujdesit të duhur për fëmijët në disa familje. Prandaj, së bashku me MPB-në, Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe Odën e Psikologëve, së fundmi kemi ngritur iniciativë për avancimin e kompetencave të psikologëve shkollorë dhe mësuesve për identifikimin e dhunës dhe neglizhimit në familje përmes sjelljes së fëmijëve, si dhe për parandalimin e shndërrimit të mëtejshëm të tyre në dhunë të drejtuar ndaj bashkëmoshatarëve”, informoi Janevska.
Ajo shtoi se po realizohen edhe takime të drejtpërdrejta me mësimdhënësit dhe prindërit e nxënësve. Deri më tani janë vizituar rreth 30 komuna, ndërsa aktiviteti do të vazhdojë edhe në fund të këtij muaji.
Ministrja gjithashtu theksoi se në procedurë parlamentare janë ndryshimet ligjore, me të cilat parashikohen gjoba për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve për të cilët do të konstatohet se kanë kryer dhunë mes bashkëmoshatarëve në shkollë, si dhe për prindërit që refuzojnë të bashkëpunojnë me shërbimet e shkollës.
Është e qartë se vlerat negative përhapen dhe pranohen më lehtë në shoqëri. Por të rinjtë duhet ta ndryshojnë botën, dhe kjo është e mundur vetëm përmes ndryshimit të mënyrës së të menduarit dhe të sjelljes. Ngrini zërin, parandaloni përpjekjet për bullizëm, raportoni dhunën, jini empatikë, mbroni më të dobëtit dhe ndihmojuni atyre që kanë nevojë për ndihmë. Përqafoni vlerat e vërteta - respektin, tolerancën, unitetin dhe solidaritetin”, u bëri thirrje Janevska të rinjve pjesëmarrës në këtë ngjarje.