Maturantët e vitit shkollor 2025-2026 e përfunduan procesin e dhënies së provimit shtetëror të maturës në afatin e qershorit, me notë mesatare 3,66, të llogaritur pas parashtrimit dhe shqyrtimit të ankesave ndaj rezultateve preliminare të publikuara. Mesatarja është pothuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar, kur ishte 3,69. Provimi u zhvillua sipas modelit të ri, ndërsa sfidat e viteve të kaluara u zvogëluan ndjeshëm.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, dhe drejtorja e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Jovçevska Mihajllovska, në konferencën e sotme për shtyp shprehën kënaqësinë e tyre për realizimin e procesit dhe për objektivitetin e rezultateve të arritura.
„Këtë vit, për herë të parë provimi u zhvillua sipas Konceptit të ri, i cili përcaktoi tri lloje të maturës-shtetërore, profesionale dhe artistike. Me këtë, të gjithë nxënësit u testuan për materialin që realisht e kanë mësuar gjatë katër viteve të arsimit të mesëm, gjë që nuk ishte në të kaluarën, kur të gjithë testoheshin me të njëjtin material. Jam e kënaqur që për dy vite me radhë mbahet pothuajse e njëjta mesatare, ndryshe nga viti 2024, kur ajo ishte 3,26“, theksoi Janevska.
Veçmas, ministrja informoi se nota mesatare nga provimi shtetëror i maturës është 3,62, nga matura profesionale është 3,91, ndërsa nga matura artistike është 3,59. Këto të dhëna do të jenë të krahasueshme nga viti i ardhshëm shkollor, kur për herë të dytë do të zhvillohet dhënia e provimit sipas modelit të ri.
„Konsideroj se rezultatet janë objektive. Shkollat, fakultetet ku u organizua një pjesë e testimeve, testuesit, të cilët ishin rreth 2500, si dhe rreth 200 vëzhgues e vlerësues, ishin të përgatitur mirë. Sigurisht, edhe nxënësit e morën me seriozitet procesin“, shtoi Janevska.
Sipas lëndëve, nota mesatare në gjuhën amtare është 3,93, ndërsa në gjuhën angleze është 3,31. Mesatarja në matematikë është 4,20. Nxënësit që iu nënshtruan provimit të gjuhës frënge arritën notë mesatare 4,50, në gjuhën gjermane 4,70. Në gjuhën ruse 4,71, ndërsa në gjuhën italiane 4,50. Në lëndën e historisë, nota mesatare është 4,16.
Provimin e paraqitën 14.587 nxënës. Prej tyre, 12.184 për provimin shtetëror të maturës, 2.276 për maturën profesionale dhe 127 për maturën artistike. Gjithsej 348 nxënës nuk u paraqitën në provim, ose në përqindje, 2,39% e nxënësve munguan.
„Nuk kemi më kopjues si para dy vjetësh. Për 226 nxënës provimi është anuluar dhe ata do t'i nënshtrohen sërish provimit në afatin e gushtit. Një pjesë u kapën duke kopjuar gjatë provimit, ndërsa për një pjesë tjetër u konstatua se kishin kopjuar pas shqyrtimit të testeve të tyre“, tha Janevska, duke shprehur mirënjohje për Qendrën Shtetërore të Provimeve dhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në zbatimin e procesit, të cilët, siç tha ajo, i kryen detyrimet e tyre me efikasitet.
Gjithashtu uroi edhe nxënësit që e përmbyllën me sukses arsimin e mesëm, duke kaluar me sukses provimin shtetëror të maturës, me ç'rast fituan të drejtën për të vazhduar arsimin në institucionet e arsimit të lartë ose për t'u përfshirë drejtpërdrejt në tregun e punës.
Drejtorja e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Mihajllovska, theksoi se lidhur me rezultatet janë parashtruar 805 ankesa, ndërsa 133 nxënës kanë bërë shqyrtimin e testeve. Afati i gushtit do të realizohet më 12 gusht, ku do të mbahet provimi i gjuhës së huaj, ndërsa më 14 gusht do të mbahet provimi i gjuhës amtare.
Provimet interne dhe mbrojtja e detyrave projektuese do të zhvillohen në periudhën 17-24 gusht.