Sot në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë u mbajt takim pune ndërmjet ministres së Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, drejtorit të Arkivit Shtetëror të Maqedonisë, Mr. Dimitar Bogeski, zëvendësdrejtores së Arkivit, Trendelina Deari, drejtorit të Institutit të Historisë Kombëtare, Prof. Dr. Mitko Panov, shefit të katedrës së historisë në Fakultetin Filozofik, Prof. Dr. Dalibor Jovanovski, dhe drejtores së Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Millka Trinçevska. Në takim u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që veprojnë në fusha të ngjashme, me qëllim të përbashkët për të përmirësuar zhvillimin e historiografisë, arkivistikës dhe praktikave bashkëkohore arsimore.
Ministrja Janevska theksoi se Arkivi Shtetëror përfaqëson institucion me rëndësi të veçantë për shtetin dhe se do të trajtohet me vëmendje dhe mbështetje të duhur. Ajo theksoi gatishmërinë e Ministrisë për të shqyrtuar propozimet për përfshirjen e materialeve autentike arkivore në tekstet shkollore, me qëllim që historia t’u afrohet nxënësve në mënyrë më të kuptueshme, autentike dhe motivuese.
Të pranishmit diskutuan për forcimin e proceseve të digjitalizimit, të cilat janë kyçe për ruajtjen afatgjatë të materialit arkivor dhe për mundësimin e qasjes më të lehtë në dokumente për studiuesit, studentët dhe publikun e gjerë. Drejtori Bogeski informoi se Arkivi Shtetëror tashmë po punon në zhvillimin e softuerit të specializuar për digjitalizim dhe në sigurimin e mjeteve financiare për zbatimin e tij dhe përshtatjen me kushtet vendore.
Pjesëmarrësit në takim u ndalën edhe te sfida serioze e mungesës së studentëve në programet studimore të arkivistikës. U vlerësua se është e domosdoshme të krijohen stimuj të ndryshëm, si bursa dhe forma të tjera mbështetjeje, me qëllim që të motivohen të rinjtë të orientohen drejt këtyre profesioneve që janë thelbësore për ruajtjen e kujtesës kombëtare.