Në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, sot filloi ndërtimi i kampusit të ri universitar – kompleks infrastrukturor i projektuar me kushte bashkëkohore për veprimtarinë mësimore-shkencore, si dhe për përfshirjen e numrit më të madh të studentëve. Në vendosjen e gurthemelit morën pjesë: kryeministri Prof. Dr. Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës Prof.Dr. Vesna Janevska, zv.ministrja e Transportit dhe Lidhjeve Kaltrina Zekolli Shaqiri, kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti, këshilli i rektoratit, profesorë si dhe punonjës të tjerë të universitetit.
Në fjalimin e saj para të pranishmëve, ministrja Janevska theksoi se ky investim është i rëndësishëm për përshpejtimin e zhvillimit të universitetit më të ri shtetëror dhe është plotësisht i arsyeshëm, duke pasur parasysh se edhe të gjitha universitetet e tjera shtetërore në kohën e themelimit dhe gjatë zhvillimit të tyre kanë përfituar mbështetje nga shteti.
“Uroj fillim të suksesshëm dhe realizim të investimit brenda afatit të paraparë në dokumentacionin projektues dhe planifikues – që për rreth 5 vjet nga tani, përkatësisht në vitin 2030, në këtë vend të kemi kampus modern universitar, ku nuk do të vihet në pikëpyetje nëse është e mundur përmbushja e dispozitave të rregullores së re ligjore për arsimin e lartë dhe shkencën, e cila aktualisht është lëndë e debatit më të gjerë publik. Pikërisht kuadri mësimor-shkencor do të ketë të gjitha kushtet e domosdoshme për krijimtari shkencore, për zhvillimin e mësimdhënie efektive dhe për avancim në karrierë, ndërsa studentët për zhvillimin e potencialit të tyre personal, njerëzor dhe akademik”, theksoi Janevska.”
Ministrja theksoi se nga çdo investim pritet edhe rikthimi i investimit kështu që edhe nga ky investim pritet që universiteti të zhvillohet në institucion modern arsimor dhe shkencor, ku kuadri i motivuar mjaftueshëm, do të japë kontribut në zhvillimin e arsimit të lartë dhe të shkencës, si dhe do të formojë gjenerata të reja studentësh me njohuri të vërteta dhe me shkathtësi të zbatueshme, pa të cilat nuk është i mundur përparimi shoqëror dhe ekonomik.
“ Ky është investim në forcimin e kapacitetit, autonomisë dhe rolit shoqëror të institucionit të arsimit të lartë në procesin e tranzicionit dhe të integrimit të vendit në shoqërinë e vendeve më të zhvilluara”, shtoi Janevska.