Nxitja e përdorimit më të gjerë të teknologjisë asistive në shkolla, për proces më efikas edukativo-arsimor për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore është qëllimi i projektit të ri “Avokim për inkluzion digjital” i Shoqatës për Teknologji Asistive “Hapni Dritaret” dhe ZETA – organizata për aftësi të kufizuara dhe drejtësi, mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ambasada e Zvicrës.
Projekti u promovua sot, ndërsa në këtë ngjarje fjalim mbajti edhe sekretarja shtetërore në MASH, Elena Ivanovska, e cila theksoi se gjatë periudhës së kaluar Ministria ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të mundësive të barabarta arsimore për nxënësit me vështirësi.
„ Me ndryshime ligjore, kemi mundësuar ri-regjistrimin e nxënësve me nevoja komplekse në shkollat me qendra burimore, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të shumë prindërve të nxënësve me vështirësi. Por gjithashtu, këtë vit shkollor kemi angazhuar numrin më të madh të asistentëve arsimorë në arsimin fillor -1.346, dhe për herë të parë 130 në arsimin e mesëm. Paralelisht investojmë edhe në avancimin e kapaciteteve të kuadrit edukativo-arsimor, përmes trajnimit të vazhdueshëm për konceptin e gjithëpërfshirjes dhe për metodat dhe teknikat e punës", theksoi Ivanovska.
Që nga ky vit kalendarik, Ministria ka futur edhe formula të reja për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm, ku parashikohet që një nga elementët për rritjen e dotacioneve të jetë inkluzioni, përkatësisht mjetet për komunat përcaktohen gjithashtu në bazë të numrit të nxënësve me vështirësi.
„ Prioritet për periudhën e ardhshme është përmirësimi i kushteve për mësimdhënie dhe rehabilitim në gjashtë shkolla me qendra burimore - tri në Shkup dhe nga një në Shtip, Novo Sellë dhe Manastir, për të cilat tashmë janë siguruar mjete financiare. Shkollat do të rikonstruktohen plotësisht, ndërsa është planifikuar edhe sigurimi i teknologjisë asistive. Sigurisht, do të kujdesemi që të mos lëmë jashtë procesit të pajisjes me teknologji të reja edhe shkollat e tjera fillore dhe të mesme, por presim mbështetje nga shoqëria më e gjerë, nga vetëqeverisjet lokale, organizatat qytetare, komuniteti i biznesit me përgjegjësi shoqërore dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Prandaj, le të jetë ky projekt mbështetje në realizimin e këtij prioriteti të rëndësishëm,” theksoi sekretarja shtetërore, duke shtuar se nuk është e mundur arsim inkluziv cilësor pa shoqëri të zhvilluar inkluzive, dhe për këtë është e nevojshme bashkimi i përpjekjeve të të gjithë aktorëve shoqërorë.