Ministria e Arsimit dhe Shkencës mori mjete të pakthyeshme nga Spanja në shumën prej 250 mijë eurosh, të cilat do t’i shtohen strukturës financiare për realizimin e projektit për ndërtimin e objekteve të reja për FINKI-n dhe Fakultetin e Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetësisë në Shkup.
Marrëveshja për grantin sot u nënshkrua ndërmjet ministres së Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, ambasadorit të Spanjës, Shkëlqesisë së Tij Rafael Soriano Ortiz, dhe zëvendësguvernatorit të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB) për vendet e synuara, Tomas Boçek, me ndër të treja palët theksuan përkushtimin e përbashkët për investimin në infrastrukturë cilësore arsimore dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Granti do të sigurojë asistencë teknike të orientuar në përgatitjen dhe fillimin e projektit investues në dobi të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa është vazhdimësi e partneritetit shumëvjeçar ndërmjet CEB-së dhe Maqedonisë në sektorin e arsimit.
“Investimet në infrastrukturën arsimore paraqesin investim në të ardhmen e sistemit tonë arsimor dhe në të ardhmen e shtetit. Prandaj jemi veçanërisht mirënjohës për mbështetjen e dhënë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës dhe Spanja për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor, i cili ka të bëjë me universitetin e parë dhe më të madh publik në Maqedoni, me çka krijohen kushte për përfundimin në kohë dhe në mënyrë efikase të projektit”, tha Janevska.
“Asistenca teknike e cila do të financohet përmes këtij granti spanjoll dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës do t’i ndihmojë shtetit ta përgatisë dhe zbatojë projektin për avancimin e infrastrukturës së UKIM-it. Investimi në arsim paraqet prioritet dhe zgjedhje strategjike”, deklaroi ambasadori Soriano Ortiz.
Zëvendësguvernatori Boçek, nga ana tjetër, theksoi se investimi në arsimin e lartë do të thotë investim në njerëz, aftësi dhe mundësi.
“Përmes këtij granti nga Spanja, kontribuojmë në krijimin e një mjedisi më të mirë për të mësuar në universitetin kryesor publik dhe ndërtojmë partneritetin tonë të suksesshëm në dobi të fëmijëve dhe të rinjve në të gjithë vendin”, shtoi ai.
Projekti parashikon përfundimin e ndërtimit të dy objekteve në oborrin e UKIM-it, të cilat do të jenë të dedikuara për FINKI-n, si dhe fillimin e ndërtimit të një objekti krejtësisht të ri për Fakultetin e Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetësisë.