Me fillimin e vitit të ri shkollor, rreth 10.800 nxënës të regjistruar në vitin e parë të arsimit të mesëm profesional do të bëhen gjenerata e parë që do të mësojnë sipas programeve mësimore të modernizuara që integrojnë kompetencat STEM, duke përfshirë aspektet e gjelbra dhe digjitale në të gjitha drejtimet.
Me trajnimin e 569 mësuesve, janë zhvillzar resurse të reja mësimore dhe me përforcimin e bashkëpunimit me sektorin privat, kjo reformë do t'i ndihmojë nxënësit të zbatojnë praktika të qëndrueshme në vendet e tyre të ardhshme të punës dhe t'u përgjigjen sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike, të cilat po ndikojnë gjithnjë e më shumë në çdo sektor të ekonomisë.
“Reforma vjen në një kohë kur arsimi profesional po bëhet gjithnjë e më tërheqës për të rinjtë. Nxënësit e sotëm do të hyjnë në një treg pune që po ndryshon nën ndikimin e ndryshimeve teknologjike, tranzicionit të gjelbër dhe mënyrave të reja të punës. Me modernizimin e arsimit profesional, ne i ndihmojmë të rinjtë të përfitojnë aftësitë e nevojshme për sukses, ndërsa njëkohësisht u mundësojmë kompanive qasje në kuadrin e gatshëm për të kontribuar në rritjen, inovacionin dhe ruajtjen e konkurrencës”, tha Vesna Janevska, ministre e arsimit dhe shkencës.
Megjithëse këto aftësi janë veçanërisht të rëndësishme në sektorë të tillë si energjia e ripërtëritshme, ndërtimi i qëndrueshëm dhe teknologjitë e gjelbra, kalimi në një ekonomi të gjelbër po ndryshon vendet e punës në pothuajse të gjithë sektorët. Nxënësit nga profesionet ekonomike do të mësojnë rreth modeleve të bizneseve të gjelbra dhe inovacioneve të qëndrueshme, ndërsa nxënësit nga drejtimet e hotelerisë dhe turizmit do të mësojnë se si të zvogëlojnë mbeturinat ushqimore dhe të zbatojnë praktika të qëndrueshme.
Reforma ka për synim të tejkalojë hendekun që ekziston midis ambicieve ekologjike të të rinjve dhe njohurive dhe aftësive të tyre në fushën e mjedisit jetësor.
E udhëhequr nga Ministria e arsimit dhe shkencës dhe Qendra për zhvillimin e arsimit profesional, reforma përfshin aftësitë STEM që përfshijnë aspektet e gjelbra dhe digjitale
në arsimin profesional. UNICEF ofroi mbështetje teknike me mjete financiare nga Qeveria e Suedisë dhe kompania "Nelt".
"Përgatitja e fëmijëve dhe të rinjve për të ardhmen kërkon rishikim se cilat aftësi janë të rëndësishme në të gjithë sistemin arsimor. Me përfshirjen e aftësive STEM të cilat përfshijnë kompetencat e gjelbra dhe digjitale në arsimin profesional, Maqedonia e Veriut ndihmon në sigurimin që çdo nxënës të jetë i përgatitur për sukses në një ekonomi dhe klimë që po ndryshon”, tha Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF.
Programet e reja mësimore i ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë jo vetëm njohuri teknike, por edhe aftësi për zgjidhjen e problemeve, inovacion dhe përshtatshmëri, duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm në përmbushjen e qëllimeve të Strategjisë për arsim 2026–2032 dhe Agjendës reformuese së Maqedonisë së Veriut 2024–2027.