Deri më 1 shtator ShF „Kuzman Josifovski - Pitu” në Kisella Vodë do të bëhet me sallë të re sportive

Deri më 1 shtator ShF „Kuzman Josifovski - Pitu” në Kisella Vodë do të bëhet me sallë të re sportive

 

Në shkollën fillore “Kuzman Josifovski-Pitu” në komunën Kisella Vodë po ndërtohet sallë e re sportive shkollore, e cila pritet të përfundojë deri në fillimin e vitit të ri shkollor. Bëhet fjalë për objekt me sipërfaqe prej 650 metra katrorë, ndërsa investimi realizohet me mjete buxhetore në vlerë prej 32 milionë denarë. Mbikqyrjen e punimeve ndërtimore sot e realizuan  ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, si dhe kryetarja e komunës, Beti Stamenkoska Trajkoska.

“Kjo është një nga 30 investimet aktive ndërtimore në objekte shkollore dhe salla sportive që Ministria e Arsimit dhe Shkencës po i realizon aktualisht në disa komuna në territorin e shtetit, me vlerë totale mbi 1 miliard denarë. Këtu janë përfunduar rreth 60% e punimeve ndërtimore dhe pres që deri më 1 shtator të përfundojnë dhe ta vëmë në përdorim”, theksoi  Janevska.

 

Ministrja shtoi se objekti do të jetë i dedikuar për më shumë sporte, kështu që, mësimi i arsimit fizik do të përmirësohet ndjeshëm, ndërsa do të mund ta përdorin edhe klubet sportive dhe rekreativët pas përfundimit të orëve.

 

Janevska potencoi se aktualisht po ndërtohen 4 salla të reja sportive dhe 5 objekte shkollore, po rikonstruktohen 15 salla ekzistuese dhe në 10 shkolla po realizohen ndërhyrje sanimi. Të gjitha investimet aktive, do të përfundojnë deri në fund të vitit vijues.

 

“Ky është konfirmim se kujdesi i Qeverisë dhe i MASH-it për kushte më të mira infrastrukturore është jashtëzakonisht i madh. Kujtoj se që nga fillimi i mandatit deri më tani janë investuar më shumë se 4 miliardë denarë, përkatësisht rreth 67 milionë euro, në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe vazhdojmë me po të njëjtin ritëm edhe në periudhën në vazhdim”, shtoi ministrja.

 

Edhe kryetarja e komunës së Kisella Vodës theksoi se prioriteti kryesor i komunës është që nxënësit të marrin hapësirë bashkëkohore për mësim cilësor. 

 

„Paralelisht me këtë sallë, po punojmë në mënyrë aktive edhe për sallën e re sportive në ShF  „ Krume Kepeski” në Pripor, si dhe në projektet kapitale për zgjerimin e shkollave „Nevena Georgieva-Dunja” dhe „Kiril Pejçinoviq”. Kjo sinergji ndërinstitucionale është çelësi për realizimin e premtimeve dhe për krijimin e një të ardhmeje më të mirë për më të rinjtë në komunën tonë”, tha Stamenkoska Trajkoska.

Accessibility Menu