Është hapur thirrja për The Future Leaders Exchange (FLEX) Global Program, një program shkëmbimi plotësisht i financuar për nxënësit e shkollave të mesme, i organizuar nga Byroja për Çështjet Arsimore dhe Kulturore pranë Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Programi u mundëson nxënësve të kalojnë një vit shkollor në SHBA, ku do të jetojnë në familje të përzgjedhura amerikane pritëse, do të ndjekin mësimet në një shkollë të mesme amerikane dhe do të marrin pjesë në aktivitete edukative, të lidershipit dhe aktivitete të tjera të programit. Qëllimi është zhvillimi i një gjenerate të re të liderëve të rinj përmes shkëmbimit ndërkulturor, lidershipit, sipërmarrjes, teknologjisë dhe angazhimit qytetar.
Programi zbatohet nga Këshillat Amerikanë për Arsimin Ndërkombëtar (American Councils for International Education), në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së.
Të drejtë aplikimi kanë nxënësit e shkollave të mesme të regjistruar në vitin e parë ose të dytë, ndërsa nxënësit e përzgjedhur do të udhëtojnë drejt SHBA-së gjatë vitit shkollor 2027–2028.
Programi mbulon shpenzimet e udhëtimit, akomodimin në familje pritëse, arsimin në një shkollë të mesme amerikane, sigurimin shëndetësor dhe një kompensim mujor për shpenzimet personale.
Aplikimi është i hapur deri më 22 tetor 2026, në faqen e mëposhtme: