Në bazë të nenit 54 paragrafit 1 të Ligjit për Standardin e Nxënësve („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“ nr. 52/05, 117/08, 17/11, 135/11, 15/13, 41/14, 146/15, 30/16, 64/18, 20/19 dhe „Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 248/20, 302/20, 235/24 dhe 111/26), Vendimit për përcaktimin e numrit të bursistëve dhe shumës së bursave për nxënësit e regjistruar në shkollat e mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin shkollor 2026/2027 („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 160/26) dhe Aktvendimit për shpalljen e Konkursit për ndarjen e 1570 (një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) bursave për nxënësit e regjistruar në paralele të arsimit profesional, në të cilat do të realizohet arsimi praktik me numër të shtuar të orëve, në përputhje me programet e arsimit profesional (PARALELE DUALE), në shkollat publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin shkollor 2026/2027, ministrja e Arsimit dhe Shkencës shpall:
K O N K U R S
për ndarjen e 1570 (një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) bursave për nxënësit të cilët janë të regjistruar në paralele të arsimit profesional, në të cilat do të realizohet arsimimi praktik me numër të shtuar të orëve, në përputhje me programet e arsimit profesional (PARALELE DUALE)
për vitin shkollor 2026/2027
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë 1570 (një mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) bursa për nxënësit të cilët janë të regjistruar në paralele të arsimit profesional, në të cilat do të realizohet arsimimi praktik me numër të shtuar të orëve, në përputhje me programet e arsimit profesional (PARALELE DUALE), në shkollat e mesme publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin shkollor 2026/2027, dhe atë në mënyrën si vijon:
- 50 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin pylltari - përpunimi i drurit
-100 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin kimi-teknologji
- 70 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin hoteleri - turizëm
- 50 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin tekstil-lëkurë
- 50 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin e komunikacionit
- 220 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin e makinerisë
- 80 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin e shërbimeve personale
- 120 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin bujqësi-veterinari
- 230 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin e shëndetësisë
- 250 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin e elektroteknikës
- 250 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin ekonomi-juridik dhe tregti
- 20 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin grafik
- 60 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin ndërtimtari-gjeodezi
- 20 bursa për nxënësit e Paraleleve Duale në profesionin gjeologji, xehetari-metalurgji
I. KUSHTET PËR NDARJEN E BURSËS
Të drejtë për bursë kanë kandidatët që ndjekin mësimin në shkollat e mesme publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe i plotësojnë kushtet në vazhdim:
1. Të jenë nxënës të rregullt të arsimit të mesëm, të regjistruar në paralele të arsimit profesional, në të cilat do të realizohet arsimimi praktik me numër të shtuar të orëve, në përputhje me programet e arsimit profesional (PARALELE DUALE), në shkollat e mesme publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut;
2. Të kenë arritur sukses të vazhdueshëm minimal prej 3,00 gjatë arsimit të deritanishëm;
3. Të mos kenë përsëritur vit gjatë arsimit;
4. Të mos jenë përfitues të bursës nga institucione ose kompani të tjera;
5. Të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kriter për ndarjen e bursave është suksesi i arritur gjatë viteve të mëparshme shkollore, ku një nxënës mund të marrë maksimumi 100 pikë, sipas formulës së mëposhtme:
Pikët maksimale për nxënësit e vitit të parë = (Suksesi mesatar VI + VII + VIII + IX / 4) * 20
Pikët maksimale për nxënësit e vitit të dytë = (Suksesi mesatar i vitit të I )* 20
Pikët maksimale për nxënësit e vitit të tretë = (Suksesi mesatar i vitit të I + II / 2)* 20
Pikët maksimale për nxënësit e vitit të katërt = (Suksesi mesatar i vitit të I + II + III / 3)* 20
II. MËNYRA DHE AFATI I APLIKIMIT
Nxënësit që i plotësojnë kushtet e përcaktuara në konkurs plotësojnë aplikimin elektronik dhe bashkangjesin dokumentacionin përkatës në http://e-uslugi.mon.gov.mk, prej më 07.10.2026 deri më 21.10.2026.
Dokumentet e nevojshme që duhet të dorëzohen janë si më poshtë:
1. Vërtetim se kandidati është nxënës i rregullt në vitin shkollor 2026/2027; (në vërtetim duhet të theksohet se nxënësi ndjek mësimin në paralele duale);
2. Dëftesat për vitet e përfunduara të mëparshme të arsimit (kandidatët e vitit të parë dorëzojnë dëftesat nga klasa VI-IX); (duhet të ngarkohen dëftesat origjinale – faqja e përparme dhe e pasme);
3. Deklaratë e nënshkruar nga prindi-kujdestari se kandidati nuk është përfitues i ndonjë burse tjetër, e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë;
4. Deklaratë e nënshkruar nga prindi-kujdestari se dokumentet e dorëzuara janë të vërteta, e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë;
5. Deklaratë për përdorimin e të dhënave personale, e nënshkruar me emër dhe mbiemër të plotë nga prindi-kujdestari, e publikuar në shtojcë të Konkursit;
6. Llogari transaksionale në emër të nxënësit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas detyrës zyrtare, në përputhje me Rregulloren për formularin e kërkesës për akomodim në konviktin e nxënësve dhe formularin e kërkesës për ndarjen e bursës, me dokumentacionin e nevojshëm („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“ nr. 189/16 dhe 41/17), do ta sigurojë dokumentin e mëposhtëm:
-Certifikatën e shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Kandidatët nuk do të rangohen nëse dokumentacioni i dorëzuar nuk është i plotë dhe nëse nuk është dorëzuar përmes http://e-uslugi.mon.gov.mk.
Nëse për disa profesione nuk plotësohet kuota e përcaktuar me kandidatë përkatës, atëherë Komisioni ka të drejtë që kuotat e mbetura t’ua ndajë profesioneve të tjera, ku ka pasur interes më të madh nga kandidatët përkatës, duke u ranguar sipas suksesit. Kështu që kuotat e lira do t’u ndahen kandidatëve me suksesin më të lartë dhe vitin më të lartë të shkollimit, të cilët nuk kanë arritur të përfshihen në kuotat e përcaktuara për profesionin e tyre.
Nëse nga numri i përgjithshëm i aplikimeve të pranuara ekziston pabarazi gjinore, përkatësisht nëse nga numri i përgjithshëm i kandidatëve femra është më i vogël se 40%, në pikëzimin përfundimtar kandidatëve femra që i plotësojnë kushtet do t’u jepet pikë shtesë.
Nëse ka më shumë kandidatë me numër të njëjtë pikësh, përparësi kanë kandidatët e regjistruar në vitin më të lartë të shkollimit.
Lista e kandidatëve të përzgjedhur do të publikohet në http://e-uslugi.mon.gov.mk, në rubrikën „Të reja“, më së voni deri më 01.12.2026, ndërsa të gjithë kandidatët do të marrin Aktvendime lidhur me statusin e aplikimeve të tyre në profilet e tyre elektronike në http://e-uslugi.mon.gov.mk.
Nxënësit të cilët nuk janë të kënaqur me rezultatet e konkursit kanë të drejtë të paraqesin ankesë pranë Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative, në Procedurën e Marrëdhënieve të Punës dhe në Mbikëqyrjen Inspektuese në Shkallë të Dytë.
Për nxënësit e mitur, ankesa duhet të dorëzohet përmes përfaqësuesit të tyre ligjor, në të kundërtën ankesa do të konsiderohet e parregullt.
III. SHUMA E BURSËS
Shuma e bursës do të jetë 3.500,00 denarë në muaj dhe do të paguhet në kohëzgjatje prej nëntë (9) muajsh gjatë vitit shkollor 2026/2027.