KONKURS për ndarjen e bursave për studentët e rregullt të regjistruar në studimet deridiplomike të ciklit të parë në universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë publike dhe private në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin akademik 2026/2027

Ministria e arsimit dhe shkencës Ministria e arsimit dhe shkencës

Në bazë të nenit 49 paragrafi (1) të Ligjit për Standardin Studentor („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë“ nr. 15/13, 120/13, 41/14, 146/15, 30/16, 178/16, 64/18, 20/19 dhe „Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 124/19, 248/20, 302/20, 235/2024 dhe 111/2026), si dhe nenit 2 të Rregullores për llojin e bursave studentore dhe mënyrën e ndarjes së bursave studentore („Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut“ nr. 155/26), Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall

 

KONKURS

për ndarjen e bursave për studentët e rregullt të regjistruar në studimet deridiplomike të ciklit të parë në universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë publike dhe private në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin akademik 2026/2027

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për vitin akademik 2026/2027, do të ndajë bursa për studentët e rregullt të regjistruar në studimet deridiplomike të ciklit të parë në universitetet dhe institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas grupeve në vijim:

a) Grupi i parë – 1200 bursa për studentët e rregullt nga kategoritë sociale, përkatësisht studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët me sëmundje të rralla, të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si vijon:

· 1100 bursa për studentët e rregullt nga kategoritë sociale;

· 50 bursa për studentët me aftësi të kufizuara;

· 50 bursa për studentët me sëmundje të rralla.

 

b) Grupi i dytë:

- 1050 bursa për studentët e regjistruar si studentë të rregullt në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në programe studimore që janë me interes strategjik për shtetin, në përputhje me Vendimin për përcaktimin e listës së programeve studimore me interes strategjik për shtetin nr. 1410-183, të datës 3.11.2026, të Këshillit Nacional për Arsimin e Lartë dhe Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore, përkatësisht në programet studimore në vijim: kimi, fizikë, matematikë, bujqësi, pylltari, biologji mësimore dhe xehetari.

 

c) Grupi i tretë:

– 700 bursa për studentët e regjistruar si studentë të rregullt në universitetet dhe institucionet publike të arsimit të lartë dhe 50 bursa për studentët e regjistruar si studentë të rregullt në universitetet dhe institucionet private të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë arritur sukses të veçantë në mësime, nga viti i parë deri në vitin aktual të regjistruar të studimeve, me notë mesatare prej së paku 8,50.

 

 

 

I. KUSHTET PËR NDARJEN E BURSAVE STUDENTORE

Të drejtë për bursë kanë studentët e regjistruar në studimet deridiplomike të ciklit të parë, të cilët studiojnë në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe i plotësojnë kushtet në vijim:

1. Të jenë studentë të rregullt;

2. Të mos kenë përsëritur vit gjatë studimeve;

3. Të mos jenë përfitues të bursës nga institucione, organizata ose kompani të tjera;

4. Të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kriteret për ndarjen e bursave janë:

 

a) Grupi i parë – bursa për studentët nga kategoritë sociale, studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët me sëmundje të rralla

Nëngrupi i bursave për studentët nga kategoritë sociale

1. Suksesi i arritur gjatë viteve paraprake të studimeve deri në vitin aktual akademik 2026/2027, për të gjitha programet studimore.

2. Për kriterin e mundësive materiale të studentëve dhe familjeve të tyre, merren parasysh të ardhurat totale mujore për anëtar të familjes së studentit (pagat mujore neto dhe të ardhurat vjetore mbi baza të ndryshme, të paraqitura në formularin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, si: veprimtaria bujqësore, veprimtaria ekonomike, të drejtat e autorit, dhënia me qira e hapësirave dhe të ardhurat e tjera), në raport me pagën mesatare mujore neto të paguar për një të punësuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë tre muajve të fundit, të përcaktuar nga Enti Shtetëror i Statistikës.

Studentët, të ardhurat mujore të familjeve të të cilëve për anëtar janë më të larta se 75% e pagës mesatare mujore neto të paguar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk marrin pikë sipas këtij kriteri dhe, mbi këtë bazë, skualifikohen nga ky grup i bursave.

3. Studentët të cilët deri në moshën 18-vjeçare kanë qenë pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore, studentët e kategorizuar si persona me nevoja të veçanta, studentët – fëmijë të prindit të vetëm, studentët – fëmijë të përfituesve të ndihmës sociale dhe studentët – fëmijë të përfituesve të kompensimit në bazë të tepricës teknologjike, familjet e të cilëve kanë të ardhura totale nën pagën minimale neto të përcaktuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përfitojnë 10 pikë shtesë.

 

4. Studentët të cilët nuk kanë dhënë së paku 80% të provimeve të parapara për vitet paraprake të studimeve nuk do të rangohen. Për studentët që studiojnë në universitetet dhe institucionet publike të arsimit të lartë, ku numri i përgjithshëm i provimeve të parapara për një vit akademik është më i vogël se 10 (dhjetë) provime, për kriterin „të kenë dhënë së paku 80% të provimeve të parapara“ do të merret parasysh kriteri „të kenë dhënë vetëm dy provime më pak se numri i përgjithshëm i provimeve të parapara“. Në rast të numrit të njëjtë të pikëve, përparësi kanë studentët që kanë dhënë 90%, përkatësisht 100% të provimeve të parapara.

5. Dokumentacioni i studentëve, të cilët do të fitojnë 0 pikë në bazë të kriterit „mundësitë materiale“ (të paraqitura në pikën 2 të këtij grupi), nuk do të shqyrtohet.

6. Në rast se ka më shumë kandidatë të paraqitur me numër të njëjtë pikësh, përparësi kanë kandidatët e regjistruar në vit më të lartë të studimeve.

7. Studentët mund të aplikojnë jo më herët se nga viti i dytë i studimeve.

Nëngrupi – studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët me sëmundje të rralla

1. Studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët me sëmundje të rralla fitojnë 100 pikë në bazë të aftësisë së kufizuar ose sëmundjes së rrallë, në bazë të dëshmisë së dorëzuar nga institucioni përkatës.

2. Studentët mund të aplikojnë që nga viti i parë i studimeve.

Nëse kuota në ndonjërin nga nëngrupet në kuadër të Grupit të parë nuk plotësohet me numër të mjaftueshëm studentësh, komisioni mund ta plotësojë kuotën e paplotësuar me studentë që i plotësojnë kushtet e nëngrupit për të cilin ka interesim më të madh nga ana e studentëve që i plotësojnë kushtet për të konkurruar në atë nëngrup.

b) Grupi i dytë – bursa për studentët e regjistruar në programe studimore me interes strategjik për shtetin, të cilët fitojnë pikë në bazë të suksesit të arritur gjatë studimeve.

1. Suksesi i arritur gjatë arsimit paraprak, përkatësisht gjatë viteve paraprake të studimeve deri në vitin aktual akademik 2026/2027, për të gjitha programet studimore, duhet të jetë së paku 8,00, përkatësisht 4,00 nga arsimi i mesëm për studentët e vitit të parë.

2. Studentët e viteve më të larta që aplikojnë për bursë, por që nuk kanë dhënë së paku 80% të provimeve të parapara për vitet paraprake të studimeve dhe nuk kanë arritur notë mesatare prej 8,00, nuk do të rangohen. Për studentët që studiojnë në institucionet e arsimit të lartë, ku numri i përgjithshëm i provimeve të parapara për një vit akademik është më i vogël se 10 (dhjetë) provime, për kriterin „të kenë dhënë së paku 80% të provimeve të parapara“ do të merret parasysh kriteri „të kenë dhënë vetëm dy provime më pak se numri i përgjithshëm i provimeve të parapara“.

 

 

 

Për studentët që aplikojnë për bursë nga viti i parë i studimeve, suksesi i arritur gjatë arsimit të mesëm duhet të jetë së paku 4,00.

3. Studentët e regjistruar në programe studimore në institucionet e arsimit të lartë për përgatitjen e kuadrit mësimor për edukimin parashkollor, arsimin fillor dhe arsimin e mesëm përfitojnë 10 pikë shtesë.

4. Në rast se ka më shumë kandidatë të paraqitur me numër të njëjtë pikësh, përparësi kanë kandidatët e regjistruar në vit më të lartë të studimeve.

5. Bursa ndahet për së paku një vit akademik, ndërsa më së shumti për aq vite akademike të ciklit të parë sa janë paraparë me statutin e institucionit të arsimit të lartë. Pas vitit të parë të shfrytëzimit të bursës, studenti ka të drejtë ta vazhdojë bursën, nëse vazhdon t'i plotësojë kushtet e përcaktuara në Konkurs.

6. Studentët mund të aplikojnë që nga viti i parë i studimeve.

Grupi i tretë – bursa për studentët e regjistruar si studentë të rregullt në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë arritur sukses të veçantë në mësime, nga viti i parë deri në vitin aktual të regjistruar të studimeve, me notë mesatare prej së paku 8,50.

1. Suksesi i arritur gjatë viteve paraprake të studimeve deri në vitin aktual akademik 2026/2027.

2. Studentët të cilët nuk kanë dhënë së paku 90% të provimeve të parapara për vitet paraprake të studimeve nuk do të rangohen. Për studentët që studiojnë në universitetet dhe institucionet publike dhe private të arsimit të lartë, ku numri i përgjithshëm i provimeve të parapara për një vit akademik është më i vogël se 10 (dhjetë) provime, për kriterin që të kenë dhënë së paku 90% të provimeve të parapara, do të merret parasysh kriteri që të kenë dhënë vetëm një provim më pak se numri i përgjithshëm i provimeve të parapara. Në rast të numrit të njëjtë të pikëve, përparësi kanë studentët që kanë dhënë 90%, përkatësisht 100% të provimeve të parapara.

4. Studentët që marrin pjesë në Programin për sigurimin e tutorimit për nxënësit e arsimit fillor, përkatësisht në Programin për sigurimin e tutorimit për nxënësit e arsimit të mesëm, përfitojnë 10 pikë shtesë.

5. Në rast se ka më shumë kandidatë të paraqitur me numër të njëjtë pikësh, përparësi kanë kandidatët e regjistruar në vit më të lartë të studimeve.

6. Studentët mund të aplikojnë jo më herët se nga viti i dytë i studimeve.

 

 

 

II. MËNYRA DHE AFATI I APLIKIMIT

Aplikimi bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike. Dokumentet nuk dorëzohen në formë të shtypur pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Studentët që i plotësojnë kushtet e Konkursit plotësojnë formularin elektronik të aplikimit dhe bashkëngjisin dokumentacionin përkatës në http://e-uslugi.mon.gov.mk, nga data 06.11.2026 deri më 20.11.2026.

Studentët kanë të drejtë të aplikojnë vetëm për një grup bursash.

III. DOKUMENTET E NEVOJSHME

1. Vërtetim për semestrin dimëror të regjistruar si student i rregullt për vitin akademik 2026/2027, i cili përmban edhe të dhënën se kur studenti ka regjistruar për herë të parë vitin e parë akademik;

2. Vërtetim me numrin e provimeve të parapara dhe të dhëna nga vitet paraprake të studimeve, i lëshuar dhe i certifikuar nga institucioni i arsimit të lartë.

SHËNIM: VËRTETIMI DUHET TË PËRMBAJË DETYRIMISHT EDHE NUMRIN E PROVIMEVE TË PARAPARA DHE NUMRIN E PROVIMEVE TË DHËNA.

3. Dokumente për përcaktimin e gjendjes materiale të kandidatit:

3.1 Vërtetime për pagën e realizuar nga anëtarët e punësuar të familjes për muajin qershor të vitit aktual ose, nëse paga për këtë muaj nuk është paguar, të dorëzohet vërtetim për pagën e fundit të paguar (për prindërit – kujdestarët e punësuar në institucionet shtetërore dhe publike duhet të dorëzohet vërtetim për pagën, i certifikuar nga organi i autorizuar, ndërsa për prindërit – kujdestarët e punësuar në kompani private duhet të dorëzohet vërtetim për pagën).

3.2 Për anëtarët e pensionuar të familjes – dokument për lartësinë e pensionit – çek;

3.3 Për prindërit e shkurorëzuar – dëshmi për shkurorëzimin dhe, nëse kandidati merr alimentacion, e njëjta shumë duhet të paraqitet si e ardhur mujore;

3.4 Për përfituesit e ndihmës sociale – të dorëzohet aktvendimi i fundit ose çeku i fundit;

3.5 Për kandidatët – studentë pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore, si dhe studentët që janë të kategorizuar si persona me aftësi të kufizuara – dokument me të cilin do të dëshmojnë me shkrim statusin e tyre, përkatësisht aktvendimin për llojin dhe shkallën e aftësisë së kufizuar, të lëshuar nga Qendra kompetente për Punë Sociale, si dhe dëshmi për sëmundje të rrallë, përkatësisht dokumentacion mjekësor që përfshin diagnozën e konfirmuar nga institucioni kompetent shëndetësor, gjetjet përkatëse diagnostikuese dhe dëshmi për regjistrimin në Regjistrin Kombëtar të Sëmundjeve të Rralla.

4. Deklaratë e kandidatit se nuk është përfitues i një burse tjetër

5. Deklaratë e kandidatit se dokumentet e dorëzuara janë të vërteta dhe se të dhënat janë identike me të dhënat e shënuara në aplikimin elektronik

6. Deklaratë për përpunimin dhe përdorimin e të dhënave personale të kandidatit dhe të familjes së tij të ngushtë (prindërve-kujdestarë, vëllezërve dhe motrave), me të cilën kandidati pajtohet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas detyrës zyrtare, t'i sigurojë dokumentet e nevojshme nga institucionet e caktuara me të cilat ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi.

Kandidatët që nuk aplikojnë për Grupin e Parë duhet ta plotësojnë deklaratën vetëm me të dhënat personale.

7. Fotokopje e indeksit (opsionale, nëse studenti posedon indeks).

8. Kopje e llogarisë personale të transaksionit.

9. Për studentët që aplikojnë nga viti i parë i studimeve, është e nevojshme të dorëzojnë të gjitha dëftesat e arsimit të mesëm (të skanuara nga origjinali, në të dyja anët).

Kandidatët që aplikojnë për bursë nga Grupi i Parë i dorëzojnë të gjitha dokumentet (nga nr. 1 deri në nr. 8, me ç’rast për pikën 3 dorëzojnë dokumentet përkatëse për nëngrupin për të cilin aplikojnë), ndërsa studentët që aplikojnë për bursë nga Grupi i Dytë dhe Grupi i Tretë i dorëzojnë dokumentet me numrat rendorë 1, 2, 4, 5, 6, 7 dhe 8.

PËR STUDENTËT QË APLIKOJNË NGA VITI I PARË I STUDIMEVE: dorëzojnë dokumentet nga pikat 1, 3 (vetëm nëse aplikojnë në nëngrupin „Studentë me aftësi të kufizuara dhe sëmundje të rralla“, dhe atë vetëm dokumentet përkatëse për nëngrupin), 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas detyrës zyrtare, në përputhje me Ligjin për Standardin Studentor, do t'i sigurojë dokumentet në vijim:

- Vërtetim nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për të ardhurat e realizuara mbi baza të ndryshme gjatë vitit paraprak (të ardhura nga veprimtaria e pavarur, të ardhura nga ushtrimi i veprimtarisë bujqësore, të ardhura nga prona dhe të drejtat pronësore, të ardhura nga kapitali, fitime kapitale, fitime nga lojërat e fatit dhe lojërat e tjera shpërblyese, si dhe të ardhura të tjera), veçmas për të dy prindërit-kujdestarë të kandidatit dhe për vetë kandidatin;

- Vërtetim nga agjencia e punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut se anëtarët e papunësuar të familjes së ngushtë janë të papunë dhe nëse marrin/nuk marrin kompensim në para;

- Certifikatë e lindjes për vëllain/motrën nën moshën gjashtëvjeçare, si dhe certifikatë e vdekjes për prindin e ndjerë, të lëshuara nga Drejtoria për Mbajtjen e Regjistrave Amë dhe/ose;

- Vërtetim për shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Ministria e Punëve të Brendshme.

 

IV. KANDIDATËT NUK DO TË RENDITEN NËSE:

Kandidatët nuk do të renditen nëse dokumentacioni i bashkëngjitur është i pakompletuar.

V. SHPALLJA E REZULTATEVE

Lista e kandidatëve të cilëve u ndahet bursa do të publikohet në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës: www.mon.gov.mk.

 

VI. LARTËSIA DHE PERIUDHA E NDARJES SË BURSAVE

Lartësia e bursës për Grupin e Parë dhe Grupin e Tretë është 6.050,00 denarë në muaj, ndërsa për Grupin e Dytë është 18.000,00 denarë në muaj dhe paguhet për 9 muaj gjatë vitit akademik.

Bursa ndahet për një periudhë prej së paku një vit akademik dhe mund të vazhdohet më së shumti për aq vite akademike për studimet universitare të ciklit të parë sa janë paraparë me statutin e institucionit të arsimit të lartë. Pas vitit të parë të shfrytëzimit të bursës, studenti ka të drejtë ta vazhdojë bursën nëse vazhdon t'i përmbushë kushtet e përcaktuara në Konkurs.

 

Për bursat me interes strategjik për shtetin, si dhe për studentët me aftësi të kufizuara dhe sëmundje të rralla, bursa mund të ndahet që nga viti i parë i studimeve. Bursa ndahet për një periudhë prej së paku një viti akademik dhe më së shumti për aq vite akademike të ciklit të parë sa janë paraparë me statutin e institucionit të arsimit të lartë. Pas vitit të parë të shfrytëzimit të bursës, studenti ka të drejtë ta vazhdojë bursën nëse vazhdon t'i përmbushë kushtet e përcaktuara në Konkurs.

Studentët të cilëve u ndahet bursa do të pajisen me aktvendim për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga shfrytëzimi i bursës, në profilin përmes të cilit kanë paraqitur aplikimin për bursë, në rubrikën „Aplikimet e mia“ në portalin e-uslugi.mon.gov.mk.

 

 

Accessibility Menu