Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, sot mori pjesë në një diskutim në panel në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, kushtuar krijimit të politikave për mbajtjen e të rinjve në vend dhe realizimin e ambicieve të tyre personale në vendin e tyre.
Duke folur për temën „Diploma nuk mjafton: si ta shndërrojmë arsimin në një mundësi reale për të ardhmen këtu?“, Sulejmani tha se që nga viti 2024, Ministria e Arsimit dhe Shkencës po ndërmerr hapa konkretë për ta afruar arsimin me nevojat e tregut të punës.
Ai theksoi se zgjerimi i arsimit profesional dhe atij dual, bashkëpunimi me kompanitë për fitimin e përvojës praktike, bursat për nxënësit dhe studentët, si dhe mbështetja për zhvillimin e aftësive profesionale dhe digjitale, janë pjesë e përpjekjeve për t’u mundësuar të rinjve më shumë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu, në Maqedoni.
„Jemi të vetëdijshëm se diploma, në vetvete, nuk mjafton. Të rinjve u nevojiten përvojë praktike, vende pune që përputhen me kualifikimet e tyre, mundësi për avancim dhe një mjedis ku vlerësohen puna, dija dhe meritokracia“, tha zëvendësministri.
Mbajtja e të rinjve në vend kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve arsimore, Qeverisë, sektorit privat dhe vetë të rinjve. Përveç reformave në arsim, nevojiten edhe politika ekonomike që do të krijojnë vende pune cilësore, paga dinjitoze dhe perspektiva për zhvillim profesional dhe personal.
„Të rinjve nuk duhet t’u kërkojmë vetëm të qëndrojnë. Duhet të krijojmë arsye që ata të qëndrojnë, të punojnë, të inovojnë dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre. Dialogu me të rinjtë duhet të vazhdojë dhe të shndërrohet në politika dhe rezultate konkrete“, shtoi Sulejmani.