Janevska: E kemi rritur gjithëpërfshirjen me numrin më të madh të asistentëve arsimorë, me kuadër profesional dhe teknologji asistive

Janevska: E kemi rritur gjithëpërfshirjen me numrin më të madh të asistentëve arsimorë, me kuadër profesional dhe teknologji asistive

Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë është mundësi për të kujtuar se deri ku kemi arritur si shoqëri në përmbushjen e obligimit  tonë për t’i mundësuar çdo fëmije të realizojë ëndrrat, talentet dhe potencialet e tij. Kjo Qeveri premtoi se do të rriste gjithëpërfshirjen e sistemit edukativo-arsimor në tërësi  dhe këtë po e bëjmë, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, që u mbajt në Kuvend, në organizim të Grupit Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe organizatës „Zeta – Organizata për Aftësi të Kufizuara dhe Drejtësi”, në bashkëpunim me Shkollën Shtetërore për Rehabilitimin e Fëmijëve dhe të Rinjve me Dëmtim të Shikimit „Dimitar Vllahov” dhe Lidhjen Kombëtare të të Verbërve.

Ajo theksoi se gjatë këtij viti shkollor është angazhuar numri më i madh i asistentëve arsimorë deri më tani: 1.602 në shkollat fillore në mbarë vendin dhe 176 në arsimin e mesëm. Gjithashtu, është në zhvillim e sipër procedura për angazhimin e një numri shtesë të personave profesionistë për asistencë arsimore.

„ Në drejtim të rritjes së gjithëpërfshirjes është edhe forcimi i shërbimeve profesionale në shkolla, përmes angazhimit të kuadrit të nevojshëm. Paralelisht, po përmirësojmë qasjen në objektet shkollore përmes vendosjes së rampave dhe ndërtimit të tualeteve për nxënësit me nevoja të veçanta. Gjithashtu, kemi prezantuar dy kategori të reja të bursave studentore, të dedikuara për studentët me aftësi të kufizuara dhe ata me sëmundje të rralla”, shtoi ministrja.

Shkolla Shtetërore për Rehabilitimin e Fëmijëve dhe të Rinjve me Dëmtim të Shikimit „Dimitar Vllahov”, që nga viti i kaluar funksionon si qendër burimore dhe  aty punojnë edukatorë specialë dhe rehabilitues, mësimdhënës dhe profesionistë të cilët janë të trajnuar për edukimin e këtyre nxënësve me nevoja të veçanta arsimore.

„ Këtë vit shkollor, në këtë shkollë të vetme të këtij lloji në nivel shtetëror, janë regjistruar më shumë nxënës se vitin e kaluar. Kjo dëshmon njohjen e cilësisë së punës edukativo-arsimore, mundësinë për të marrë ndihmën e duhur profesionale dhe rritjen e besimit që prindërit kanë tek institucioni”, theksoi ministrja Janevska.

Shkolla është e pajisur me teknologjinë më moderne asistive, falë angazhimit të përbashkët dhe bashkëpunimit me kompani me përgjegjësi shoqërore. Kjo praktikë duhet të vazhdojë, sepse është shumë e rëndësishme që fëmijët me nevoja të veçanta arsimore të kenë qasje në mjetet dhe zgjidhjet më të fundit teknologjike, të cilat do t’u mundësojnë të mësojnë më lehtë, të jenë më të pavarur dhe të marrin pjesë në mënyrë më të barabartë në procesin arsimor dhe në jetën e përditshme.

„ Burimet e kufizuara janë pengesa kryesore për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e mësimdhënies cilësore. Megjithatë, kjo mund të kompensohet përmes trajnimeve më cilësore, komunikimit më të mirë ndërmjet të gjithë faktorëve dhe natyrisht, përmes avancimit strategjik të sistemit arsimor gjithëpërfshirës”, shtoi ministrja Janevska,duke  theksuar gjithashtu nevojën për ngritjen  e ndërgjegjësimit publik se aftësia e kufizuar nuk e përcakton personalitetin e njeriut dhe se duhet të ndërtojmë një shoqëri në të cilën çdo i ri do të ketë mundësinë të zgjedhë të ardhmen e tij.

Accessibility Menu