Gjatë periudhës së kaluar kam vizituar një numër më të madh komunash dhe kam mbikqyrë aktivitetet ndërtimore që janë duke u zhvilluar për përmirësimin e infrastrukturës arsimore. Publiku ka mundësinë të shohë se në të gjithë territorin e Maqedonisë po investohet në kushte më të mira për mësimdhënie. Pa bërë dallime apo ndarje, qoftë mes zonave rurale dhe urbane apo sipas përkatësisë etnike etj, investojmë kudo që është vërejtur nevoja, sepse të gjithë nxënësit meritojnë kushte të barabarta dhe qasje në arsim cilësor.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr. Vesna Janevska, e cila sot së bashku me kryetarin e komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, mbikqyrën aktivitetet për zgjerimin e kapacitetit të Shkollës Fillore „ Krum Toshev” në f. Trubarevë. Bëhet fjalë për investim në vlerë prej 23 milionë denarë, të siguruara nga Qeveria.
“Po ndërtohen 3 klasa dhe tualet, si dhe po zgjerohen zyra e mësimdhënësve dhe mensa. Ky është një nga ato investime që financohen nga Qeveria në bazë të kërkesave të parashtruara nga vetëqeverisjet lokale përmes thirrjeve për financimin e projekteve kapitale infrastrukturore. Investimi pritet të përfundojë deri në shtator”, tha Janevska, duke shtuar se aktualisht MASH, Qeveria dhe komunat financojnë mbi 80 projekte që përmirësojnë kushtet për mësimdhënie dhe për punë në shkolla.
Ajo rikujtoi se regjistrimet e nxënësve të klasës së parë fillojnë në maj, me dorëzimin e dokumentacionit-vërtetim për kontrollin oftalmologjik të kryer, për kontrollin stomatologjik dhe vërtetim për vaksinat e marra – në shkollën përkatëse ku fëmija i përket sipas rajonizimit.
“Apeloj të respektohet rajonizimi dhe të mos ushtrohen presione ndaj drejtuesve komunalë, në mënyrë që t’i mbajmë fëmijët aty ku u takon dhe të mos ndodhë që disa shkolla të mbeten pa nxënës, ndërsa të tjera të jenë të tejmbushura”, shtoi Janevska.