Me rastin e Ditës Botërore të Kreativitetit dhe Inovacionit – 21 Prill, Agjencia për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrësi – INOVA organizon ngjarje kreative dhe edukative të dedikuar për nxënësit e shkollave fillore në Shkup - “Zeleniks - nga sfida në inovacion”. Para nxënësve janë vendosur të ashtuquajturat “sfida të gjelbra”, ndërsa ata kanë për detyrë të propozojnë zgjidhje për tejkalimin e tyre.
Krahas drejtores së INOVA-s, Daniella Dimovska, në ngjarje u drejtua edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr.Vesna Janevska, e cila tha se përmes iniciativave të tilla institucionet i inkurajojnë më të rinjtë të përfshihen në përpjekjet globale për ndryshimin e botës dhe realitetit drejt më të mirës.
“Duam t’i stimulojmë të rinjtë të krijojnë zgjidhje që e lehtësojnë jetën e njerëzve, pa i shkaktuar dëm natyrës. Të fokusohen në kujdes më të madh për shëndetin, mbrojtje më të fortë të mjedisit jetësor, përballje me ndryshimet klimatike, por edhe në përmirësimin e arsimit dhe ekonomisë. Kjo do të thotë të ndihmojnë në gjetjen e përgjigjeve për sfidat më të mëdha të shekullit XXI”, tha Janevska.
Ministrja theksoi se energjia, kureshtja, kreativiteti dhe inovativiteti janë tiparet më të forta të rinisë, ndërsa roli i hartuesve të politikave dhe i mësimdhënësve është t’i mbështesin dhe t’i udhëzojnë të rinjtë drejt shfrytëzimit të tyre në mënyrën e duhur. Ngjarja e sotme është iniciativë e shkëlqyer e institucionit të ri shtetëror – INOVA dhe organizohet pikërisht me këtë qëllim.
„Ndryshimet në arsim janë intensifikuar. Qëllimi ynë nuk është të kemi vetëm talente të veçuara, por të krijojmë gjenerata të tëra të rinjsh kreativë dhe frymëzues. Gjenerata që do të tregojnë kujdes për shoqërinë, do të krijojnë vlera të reja dhe do të marrin pjesë aktive në formësimin e së ardhmes. Prandaj, në programet mësimore dhe në tekstet shkollore vihet theks i fortë te mendimi kritik, kreativiteti dhe inovativiteti.
Shkollat po pajisen me laboratorë, organizohen gara për njohuri dhe aftësi, ndërsa vazhdimisht rriten investimet në shkencë dhe kërkime. Po ashtu hapen mundësi të reja për pjesëmarrje në programe ndërkombëtare si Horizon Europe, Erasmus+ dhe CEEPUS”, tha Janevska.
Ministrja i ftoi të rinjtë të jenë kreativë dhe të përkushtuar, sepse, siç u shpreh, edhe prej tyre pritet përgjegjësi dhe kontribut në zgjidhjen e sfidave të përbashkëta.
“Mbani mend, sukseset e mëdha fillojnë me hapa të vegjël. Ndoshta pikërisht dikush prej jush, këtu dhe sot, po e bën hapin e tij të parë drejt një suksesi të madh”, u shpreh Janevska para nxënësve.
21 Prilli është shpallur si Dita e Kreativitetit dhe Inovacionit nga Kombet e Bashkuara dhe për herë të parë është shënuar në vitin 2018.