Shkolla Fillore "Drita" në fshatin Rashçe të Komunës së Sarajit do të bëhet me sallë të re sportive. Sot u vendos gurthemeli i këtij objekti, për të cilin Qeveria ka siguruar 60 milionë denarë.
Në fillimin e punimeve ndërtimore mori pjesë zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, i cili theksoi se ky investim është edhe një dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për përmirësimin e kushteve në arsim dhe krijimin e infrastrukturës moderne që do t'u shërbejë nxënësve dhe të gjithë komunitetit.
"Sallat sportive janë shumë më tepër se objekte. Ato janë vende ku ndërtohen shprehi të shëndetshme, zhvillohen talentet sportive dhe kultivohen vlera si disiplina, përgjegjësia, bashkëpunimi dhe respekti. Përmes investimeve të tilla, ne investojmë drejtpërdrejt në të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë", theksoi Sulejmani.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës vazhdon investimet në infrastrukturën arsimore në të gjithë territorin e shtetit, sepse të gjithë nxënësit meritojnë qasje të barabartë në arsim cilësor. Gjatë dy viteve të fundit janë investuar mbi 3 miliardë denarë për ndërtimin e shkollave të reja dhe sallave sportive, rikonstruktimin e objekteve ekzistuese dhe pajisjen e tyre.