Ka filluar ndërtimi i sallës së re sportive multifunksionale në kuadër të ShF “ Dimo Haxh Dimov” në lagjen Vllae. Projekti po realizohet me mjete financiare të siguruara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa sot objektin e vizituan Kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janeska, dhe kryetari i Komunës së Karposhit, Sotir Lukrovski. Ky objekt modern do të mundësojë përmirësim të ndjeshëm të kushteve për sport dhe rekreacion për nxënësit dhe bashkësinë lokale.

Bëhet fjalë për sallë sportive me sipërfaqe totale prej 1.400 metra katrorë, e projektuar sipas normave evropiane (EN) dhe standardeve të federatave ndërkombëtare të sportit si FIBA, IHF dhe FIVB. Objekti do të jetë hapësirë multifunksionale, e destinuar për mbajtjen e orëve të arsimit fizik, stërvitje të klubeve sportive, shkolla sportive dhe gara zyrtare me karakter lokal dhe rajonal. Në sallë do të mund të praktikohet hendbolli, futbolli i vogël, basketbolli, volejbolli, tenisi, boksi, mundje, ping-pong dhe aktivitete të tjera sportive dhe rekreative, ndërsa është parashikuar edhe ndërtimi i tribunave me kapacitet prej 300 deri 400 spektatorë.

Për ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëhet fjalë për objekt shumë të rëndësishëm, si për nxënësit, ashtu edhe për bashkësinë lokale. “ Me ndërtimin e kësaj salle sigurojmë hapësirë moderne dhe funksionale, që do të mund ta përdorin jo vetëm nxënësit, por edhe të gjithë fëmijët e komunës pas përfundimit të orëve mësimore. Kjo është e rëndësishme sepse rritja dhe zhvillimi i duhur i të rinjve varet edhe nga kushtet që u sigurojmë sot. Ky është investim në të ardhmen e tyre, në shëndetin dhe mirëqenien e tyre,” potencoi Janevska dhe gjithashtu informoi se kjo shkollë, përveç sallës sportive, do të ketë shtatë klasa të reja, për të mundësuar mësimdhënien me një turn, ndërsa ndërtimi do të fillojë në muajin mars.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projekteve të tilla në të gjithë vendin. “Investimi në infrastrukturën shkollore dhe sportive do të thotë investim në gjenerata të shëndetshme dhe në kushte më të mira për rritje dhe zhvillim. Me projekte të tilla dërgojmë mesazh të qartë se krijimi i infrastrukturës publike cilësore është një nga prioritetet tona”, deklaroi Mickoski.

Kryetari Llukrovski theksoi se ndërtimi i sallës përbën hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe sportive në Karposh.
“Krijojmë kushte që nxënësit të kenë hapësirë moderne dhe të sigurt për aktivitet fizik, ndërsa klubet sportive të kenë infrastrukturë cilësore për stërvitje dhe gara,” deklaroi Llukrovski.
Aktivitetet ndërtimore pritet të përfundojnë deri në maj. Realizues i projektit është kompania “Konstruktor”, ndërsa vlera e përgjithshme e investimit arrin në 63.843.523 denarë.
Me realizimin e kësaj salle, Vllae fiton hapësirë moderne sportive e cila do të jetë në funksion të nxënësve, klubeve sportive dhe komunitetit më të gjerë lokal, ndërsa Komuna e Karposhit vazhdon me avancimin e vazhdueshëm të kushteve në shkollat fillore në territorin e saj.