Me kapacitete dukshëm të zgjeruara, Shkolla Fillore „Bllazhe Koneski” në Aerodrom do të fillojë gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2025–2026. Objekti i ri, i cili u ndërtua gjatë 18 muajve të fundit, u lëshua në përdorim nga Kryeministri, Prof. Dr. Hristijan Mickoski, kryetari i komunës Dejan Miteski dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, e cila paralajmëroi gjithashtu plan të madh për avancimin e infrastrukturës arsimore në mbarë vendin, realizimi i të cilit do të fillojë këtë vit.
„ Sot po e përmbyllim një investim të madh infrastrukturor, me vlerë 200 milionë denarë, i cili siguroi objekt të ri me 16 hapësira mësimore, bibliotekë, kuzhinë me mensë, tualete përfshirë edhe për nxënës me nevoja të veçanta arsimore, si dhe me fasadë energjetikisht efikase që do të kursejë mjete për ngrohje. Kjo ndërtesë moderne do ta rrisë përfshirjen e fëmijëve nga lagjja Miçurin dhe do të zgjidhë një sfidë të madhe për pjesë të prindërve”, tha Janevska.
Ministrja theksoi se është përmbushur një premtim i madh i dhënë para banorëve të Aerodromit, falë kryetarit të komunës, këshillit komunal dhe me mbështetjen e Qeverisë, e cila financiarisht ndihmoi realizimin e investimit.
“Ky është rezultat i një pune të përkushtuar dhe të përbashkët, në fokus të së cilit janë të rinjtë tanë, të cilëve u sigurojmë qasje të barabartë dhe arsim më cilësor. Kështu do të vazhdojmë edhe më tej, sepse më në fund të gjithë jemi në të njëjtën anë dhe ndajmë të njëjtin vizion se pa arsim të mirë nuk mund të presim të ardhme më të mirë”, shtoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës.
Ministrja gjithashtu informoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përgatitur plan aksional që parasheh mbi 160 investime në objekte infrastrukturore, ndërsa realizimi i tij fillon nga ky vit. Siç u shpreh ajo, bëhet fjalë për investim të konsiderueshëm që do të zvogëlojë hendekun midis kohës së humbur gjatë disa viteve të fundit, kur nuk ishte kushtuar vëmendje arsimit, dhe standardeve të reja që i imponon bota globale.