Nevojiten ndryshime në arsimin e lartë dhe MASH-i, së bashku me komunitetin akademik, do t’i zbatojnë ato për të siguruar arsim cilësor për brezat e ardhshëm. Ky është konkluzioni i takimit të sotëm të ministres së Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, me rektorët dhe prorektorët e universiteteve shtetërore, në fokus të të cilit ishte Ligji i ri për Arsimin e Lartë.
“Draft-versioni i Ligjit për Arsimin e Lartë tashmë është përgatitur dhe së shpejti do të publikohet në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Akteve Normative (ENER). Ai do të shërbejë si bazë për të gjitha ndryshimet që do të pasojnë. Por, për t’u siguruar se kemi zgjidhjen më të mirë, ligji së shpejti do t’i nënshtrohet debatit publik, e më pas do të diskutohet nga deputetët deri në miratimin përfundimtar”, theksoi Janevska.
Ministrja shprehu mirënjohje ndaj komunitetit akademik për bashkëpunimin e deritanishëm të shkëlqyer dhe për kontributin në hartimin e zgjidhjes së re ligjore.
“Kemi të njëjtin vizion, ideale dhe qëllime, të cilat jemi të vendosur t’i realizojmë së bashku dhe me ritëm të përshpejtuar, sepse vendi ka humbur shumë kohë gjatë së cilës nuk ka pasur drejtim të qartë të zhvillimit të arsimit si bazë për prosperitetin e përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik”, shtoi Janevska.
Në takim u diskutua edhe për shumë tema të tjera që lidhen me cilësinë e sistemit arsimor.