„Ndërprerja e ciklit të dhunës - parandalimi sistemik i dhunës në familje dhe dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve përmes sistemit arsimor” është projekti i ri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili synon të gjenerojë zgjidhje të qëndrueshme sistemike për parandalimin e dhunës në familje ndaj fëmijëve përmes institucioneve arsimore dhe të pengojë shndërrimin e mëtejshëm të saj në dhunë ndërmjet bashkëmoshatarëve në bankat shkollore.
Bëhet fjalë për iniciativë që bashkon disa institucione, organizata të shoqërisë civile dhe shkolla, e cila do të zbatohet gjatë një periudhe njëvjeçare. Në promovimin e sotëm në Qeveri, ministrat e Arsimit dhe Shkencës, të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe të Punëve të Brendshme, së bashku me përfaqësues të Odës së Psikologëve, theksuan se dhuna në familje dhe dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve janë sfida që me gjasë do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe në të ardhmen, por se obligim i institucioneve dhe i të gjithë faktorëve shoqërorë është të reagojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë që statistikat negative të reduktohen në nivelin më të ulët të mundshëm.
Ministrja Janevska theksoi se projekti është i orientuar drejtpërdrejt drejt luftimit të shkaktarit kryesor të dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve-dhunës në familje, gjë që konfirmohet nga shumë organizata relevante dhe ekspertë. Fakt është, siç theksoi ajo, se fëmijët nuk bëhen agresivë në shkollë, por më së shpeshti ata vijnë agresivë nga shtëpia.
„Do të punojmë për vendosjen e mekanizmit të qëndrueshëm për identifikimin e hershëm, parandalimin dhe veprimin e duhur në rastet e dhunës në familje ndaj fëmijëve ose neglizhimit të tyre, përmes lidhjes së sistemit arsimor, institucioneve dhe familjeve në rrjet të përbashkët mbrojtjeje dhe mbështetjeje”, tha Janevska, duke shtuar se përveç pjesës së fushatës me mesazhe përmes medieve, do të ketë edhe aktivitete në terren.
Javën e ardhshme fillojnë trajnimet për të gjithë psikologët, pedagogët dhe punonjësit socialë në arsimin fillor, me qëllim forcimin e kompetencave për identifikimin e fëmijëve viktima të dhunës në familje përmes sjelljes së tyre dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e mëtejshme të saj. Fëmija, siç tha Janevska, duhet të identifikohet, të dëgjohet dhe të mbrohet në kohë.
„Do të organizojmë gjithashtu diskutime me mësimdhënësit dhe familjet e nxënësve për të ngritur vetëdijen mbi këtë problem dhe për të forcuar besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, përfshirë edhe bashkëpunimin me institucionet. Në këto diskutime pres që të përfshihen edhe nxënësit. Do t’i ftojmë për të rritur informimin dhe për të nxitur zërin e tyre – që për dhunën të mos heshtet. Nga përvojat dhe praktikat e ndara, si dhe nga sugjerimet që do të marrim gjatë trajnimeve dhe diskutimeve në panel, do të hartojmë edhe protokoll të unifikuar për veprim në rast të dyshimit për dhunë, me mjete për vlerësimin e rrezikut”, shtoi Janevska.
Në konferencën për shtyp folën edhe ministrat Fatmir Limani dhe Pançe Toshkovski. Ata dhanë mbështetje të plotë për zbatimin e projektit përmes përfshirjes së policisë dhe qendrave për punë sociale.
“Dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve është dukuri komplekse shoqërore që nuk shfaqet në mënyrë të izoluar. Shpesh pas saj qëndrojnë probleme më të thella - marrëdhënie të prishura familjare, ekspozimi ndaj dhunës në familje, mungesa e mbështetjes emocionale, modele të papërshtatshme të sjelljes, por edhe ndikime negative nga hapësira digjitale. Prandaj, detyra jonë nuk është të reagojmë vetëm kur ndodh incidenti. Duhet të veprojmë shumë më herët – në familje, në kopsht, në shkollë, në komunitetin lokal dhe në mjedisin digjital. Vizioni ynë është i qartë – shkolla pa frikë, familje në të cilat kultivohet respekti dhe mirëkuptimi, hapësirë digjitale në të cilën të rinjtë janë të mbrojtur dhe një shoqëri në të cilën dhuna nuk ka vend”, tha Limani.
Ministri Toshkovski theksoi se shifrat që posedon Ministria e Punëve të Brendshme tregojnë se në të njëjtën periudhë kur rritet dhuna në familje, rritet edhe dhuna ndërmjet nxënësve.
„ Nuk mund të themi me siguri se çdo rast konkret është i lidhur, por aspektet kriminologjike të problemit tregojnë se ekspozimi ndaj dhunës në shtëpi është një nga faktorët më të fortë të rrezikut për agresion të mëvonshëm. Kjo është arsye e mjaftueshme që Ministria e Punëve të Brendshme të jetë pjesë e këtij projekti që nga fillimi”, tha Toshkovski.
Ai theksoi se reagimi i fortë penalo-juridik është i domosdoshëm, por vetvetiu nuk është i mjaftueshëm. Policia çdo ditë është linja e parë e kontaktit me familjet ku ndodh dhunë dhe pikërisht për këtë arsye shkëmbimi i informacionit ndërmjet policisë, shkollave dhe qendrave për punë sociale është thelbësor. Nëse fëmija është dëshmitar i dhunës në shtëpi, kjo duhet të identifikohet përpara se të shndërrohet në dhunë në oborrin e shkollës.
Sipas Emiliја Boshkovska nga Oda e Psikologëve, shumë shpesh fëmija agresiv është fëmija që ka mësuar se agresioni është gjuha e vetme përmes së cilës mund të shprehë dhimbjen e tij.
“Kur një fëmijë është agresiv, reagimi ynë i parë duhet të jetë ta ndalojmë dhunën, por përgjegjësia jonë profesionale është edhe të kuptojmë nga vjen ajo dhunë. Nëse trajtojmë vetëm pasojën ndërsa jo edhe shkakun, rrezikojmë që cikli i dhunës të vazhdojë ndër breza”, tha Boshkovska, duke shtuar se qëllimi i përbashkët është të krijohen shkolla që jo vetëm transmetojnë dije, por edhe njohin dhimbjen, ofrojnë mbështetje dhe bëhen vend i sigurt për çdo fëmijë.