Në shkollat fillore shpërndahen manuale kundër dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve

Në shkollat fillore shpërndahen manuale kundër dhunës ndërmjet bashkëmoshatarëve

Manualet për përballimin e dhunës mes bashkëmoshatarëve, të përgatitura si pjesë e fushatës me përgjegjësi shoqërore të „Makpetrol” - „Ngrit zërin kundër dhunës mes bashkëmoshatarëve“, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, shpërndahen në të gjitha shkollat fillore në vend. Qëllimi është të sigurohet mbështetje praktike për mësimdhënësit, shërbimet profesionale, nxënësit dhe prindërit në përballimin e kësaj dukurie negative.

Sot, manuali u shpërnda midis punonjësve të Shkollës Fillore „Goce Delçev’ në komunën Qendër, nga ana e sekretares shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Elena Ivanovska, dhe psikologes Despina Stojanovska, e cila e ka përgatitur manualin mbi bazën e përvojave nga punëtoritë edukative që ajo i ka udhëhequr në kuadër të fushatës, të cilat janë mbajtur në më shumë se 150 shkolla dhe në të cilat kanë marrë pjesë mbi 18 mijë nxënës.

“Ky manual është vërtet përmbajtësor, me mesazhe dhe udhëzime të qarta për përballimin e situatave në të cilat është evidentuar dhuna mes bashkëmoshatarëve. Vlerësoj se ai do të jetë mjet i dobishëm për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë në shkolla, për tejkalimin e sfidave të këtij lloji dhe për ndërtimin e një mjedisi të qetë shkollor, në të cilin do të ketë tolerancë dhe mirëkuptim mes të rinjve“, theksoi Ivanovska, duke shprehur mirënjohje ndaj kompanisë “Makpetrol” për zbatimin e suksesshëm të fushatës dhe për botimin e manualit.

Psikologia Stojanovska theksoi se manuali nuk është krijuar vetëm mbi bazë teorike, por mbi të gjitha mbi bazën e punës së drejtpërdrejtë me nxënësit.

“Gjatë punëtorive patëm mundësi të dëgjojmë nga afër se si mendojnë fëmijët, si komunikojnë, me çfarë sfidash përballen dhe çfarë u nevojitet që të ndihen më të sigurt në mjedisin shkollor. Pikërisht për këtë arsye, manuali është konceptuar si mjet praktik që do t’i ndihmojë mësimdhënësit, psikologët, pedagogët dhe punonjësit e tjerë në shkolla që ta identifikojnë më lehtë dhunën mes bashkëmoshatarëve dhe të reagojnë më me efikasitet“, deklaroi Stojanovska.

Manuali i “Makpetrol” është miratuar nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe përveç në gjuhën maqedonase, është publikuar edhe në gjuhën shqipe, turke, serbe dhe gjuhën boshnjake.

Accessibility Menu