Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit dhe me mbështetjen e UNICEF-it, në periudhën nga 9 deri më 11 nëntor 2026, organizoi trajnim për mediatorët arsimorë romë në arsimin fillor dhe të mesëm, me qëllim forcimin e kompetencave të tyre profesionale dhe avancimin e mbështetjes për nxënësit romë në procesin arsimor.
Trajnimi përfshiu tema që lidhen me rolin dhe kompetencat e mediatorëve arsimorë, mbështetjen e nxënësve romë për qasje dhe pjesëmarrje të rregullt në arsim, bashkëpunimin me prindërit, shkrim-leximin administrativ, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe qasjet praktike për tejkalimin e barrierave në arsim.
Angazhimi i mediatorëve arsimorë romë në arsimin fillor përfaqëson një politikë publike të konsoliduar, të rregulluar me ligj, në përputhje me nenin 37 të Ligjit për Arsimin Fillor. Fillimisht, kjo masë nisi me shpalljen e një thirrjeje publike për angazhimin e 20 mediatorëve arsimorë, ndërsa në vitin shkollor 2026/2027 numri është rritur në 50 mediatorë.
Duke ndjekur rezultatet pozitive të kësaj mase, Ministria e zgjeroi mbështetjen edhe në arsimin e mesëm, përmes angazhimit të mediatorëve arsimorë romë, në përputhje me nenin 31 të Ligjit për Arsimin e Mesëm. Në vitin shkollor 2025/2026, për herë të parë u shpall thirrje publike për angazhimin e 35 mediatorëve në arsimin e mesëm, ndërsa i njëjti numër është paraparë edhe në thirrjen publike për vitin shkollor 2026/2027.
Zbatimi i deritanishëm i kësaj mase ka kontribuar në përmirësimin e vijueshmërisë së nxënësve, identifikimin në kohë të rreziqeve për braktisjen e arsimit, rikthimin e nxënësve në sistemin arsimor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shkollave, prindërve dhe komunitetit lokal. Përparimet pozitive konfirmohen edhe përmes uljes së numrit të nxënësve romë që kanë braktisur arsimin fillor.