Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, po qëndron për vizitë në Japoni, ku zhvilloi disa takime me përfaqësues të lartë të institucioneve arsimore, shkencore dhe shtetërore, me qëllim avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe hapjen e mundësive të reja për partneritet në fushën e arsimit dhe shkencës.
Në takimin me ministrin japonez të Arsimit, Kulturës, Sportit, Shkencës dhe Teknologjisë, Yoshihiro Seki, u diskutua për organizimin dhe funksionimin e sistemeve arsimore në të dyja vendet, si dhe për mekanizmat dhe masat për nxitjen e veprimtarisë kërkimore-shkencore. Ministrat shkëmbyen ide për iniciativa të mundshme të përbashkëta, me theks të veçantë në mundësinë e sigurimit të mbështetjes japoneze për themelimin e qendrave të ekselencës në Maqedoni.
“Japonia është një partner strategjik shumëvjeçar i vendit tonë dhe ju falënderoj për mbështetjen e deritanishme, si dhe për mundësitë që u ofroni studentëve maqedonas, përmes sistemit të bursave, për t'u arsimuar në universitete prestigjioze japoneze. Me rëndësi të veçantë për ne është edhe mbështetja që marrim në procesin e modernizimit teknik dhe pajisjes së shkollave. Besoj se një pjesë e ideve për të cilat diskutuam sot së shpejti do të shndërrohen në projekte dhe aktivitete konkrete”, theksoi Janevska në takimin në Ministrinë japoneze të Arsimit.
Avancimi i cilësisë së mësimdhënies dhe zhvillimi i kompetencave të nxënësve ishin në fokus të vizitës në Institutin Kombëtar për Politikat Arsimore të Japonisë, ku Janevska zhvilloi takim me drejtoreshën e përgjithshme, Mizue Shiomi. Bashkëbisedueset shkëmbyen përvoja lidhur me qasjet metodologjike në mësimdhënie, nxitjen e të menduarit kreativ dhe kritik te nxënësit, si dhe diskutuan për përgatitjen e nxënësve për testimin ndërkombëtar PISA, në të cilin Japonia tradicionalisht shënon rezultate jashtëzakonisht të larta.
Për mundësitë e realizimit të projekteve të reja partnere ndërmjet dy vendeve u diskutua edhe në takimin me zëvendësministren parlamentare të Punëve të Jashtme, Ikuina Akiko. Ajo theksoi se Organizata Japoneze për Tregtinë e Jashtme (JETRO) dhe Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) do të vazhdojnë të angazhohen aktivisht në identifikimin dhe zhvillimin e mundësive të reja për bashkëpunim.
Në kuadër të agjendës, ministrja vizitoi edhe Universitetin e Tokios, ku me presidentin e Universitetit, prof. dr. Teruo Fujii, diskutoi për intensifikimin e bashkëpunimit me universitetet maqedonase. Në këtë drejtim, u shqyrtuan mundësitë për pjesëmarrje të përbashkët në programin “Horizont Evropa”, shkëmbimin e kuadrit mësimor-shkencor dhe të studentëve, si dhe vendosjen e partneriteteve të reja akademike.
Vizita në Japoni përfshiu edhe takime në Ambasadën e Maqedonisë në Tokio. Janevska dhe e ngarkuara me punë në Ambasadë, Kristina Stojçevska, u takuan me Kazuya Otsuka, ish-ambasador i Japonisë në vendin tonë, me studentë maqedonas, si dhe me nxënës të shkollave të mesme nga një shkollë japoneze, të cilët mësojnë gjuhën maqedonase.
Takimet dhe bisedimet në Tokio paraqesin një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve tradicionalisht të mira ndërmjet dy vendeve dhe krijimit të mundësive të reja për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe ekspertizës, në interes të avancimit të arsimit dhe shkencës në Maqedoni.