Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, sot në një konferencë për shtyp bëri të ditur se është tejkaluar sfida lidhur me organizimin e mësimit në gjuhën shqipe në SHFK “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel për nxënësit që jetojnë në afërsi të objektit shkollor, por që territorialisht i përkasin Komunës së Çairit.
Sulejmani informoi se, pas koordinimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe komunave të Butelit dhe Çairit, është arritur një zgjidhje që u mundëson nxënësve, të cilët kanë vëlla ose motër më të madhe, të ndjekin mësimin në këtë shkollë.
“Bazuar në marrëveshjen e arritur, në SHFK ‘Petar Zdravkovski – Penko’ janë regjistruar më shumë se tridhjetë nxënës që territorialisht i përkasin Komunës së Çairit, por jetojnë në afërsi të kësaj shkolle dhe kanë vëlla ose motër më të madhe që tashmë ndjek mësimin në këtë shkollë”, deklaroi zëvendësministri.
Ai shtoi se, sipas të dhënave me të cilat disponon Ministria e Arsimit dhe Shkencës, vitin e kaluar shkollor në klasën e parë në gjuhën shqipe funksiononin katër paralele, dhe jo pesë, siç është deklaruar në opinion nga subjekte të caktuara politike.
“Në përputhje me numrin e nxënësve të regjistruar në klasë të parë, edhe këtë vit shkollor janë formuar katër paralele në gjuhën shqipe, me mesatarisht nga 25 nxënës secila. Kjo çon në përfundimin se numri i paraleleve nuk është zvogëluar, ndërsa organizimi është bërë në përputhje me ligjin, duke pasur parasysh cilësinë e procesit edukativo-arsimor. Kjo do të thotë se pretendimi se këtë vit është mbyllur një paralele në gjuhën shqipe nuk përputhet me dokumentacionin zyrtar”, theksoi Sulejmani.
Në emër të Ministrisë, ai u bëri apel të gjithë aktorëve që çdo sfidë e këtij lloji në të ardhmen të adresohet me kohë përmes komunikimit institucional, në vend që të zgjidhet përmes përplasjeve politike.