Ministrja Janevska dhe kryetari i komunës Miteski i'u ndanë pajisje tabletë nxënësve të klasës së katërt në Aerodrom

Ministrja Janevska dhe kryetari i komunës Miteski i'u ndanë pajisje tabletë nxënësve të klasës së katërt në Aerodrom

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, sot në shkollën fillore “Luben Lape” u ndanë pajisje tabletë nxënësve të klasës së katërt. Ky është viti i pestë radhazi që vetëqeverisja lokale e realizon këtë projekt me mjete nga buxheti komunal, ndërsa janë përfshirë nxënësit e klasës së katërt nga të gjitha shkollat fillore në territorin e komunës.

Në ceremoninë e ndarjes së pajisjeve tabletë, ministrja Janevska shprehu kënaqësinë që iniciativa po vazhdon dhe, sipas saj, masa të tilla duhet të zbatohen edhe në komuna të tjera, sepse kontribuojnë drejtpërdrejt në krijimin e mundësive të barabarta për çdo fëmijë.

Sot teknologjia është pjesë përbërëse e arsimit dhe u mundëson nxënësve të mësojnë më lehtë, të hulumtojnë dhe të zhvillojnë njohuritë dhe shkathtësitë e tyre. Prandaj është e rëndësishme që çdo fëmijë të ketë qasje të barabartë në këto mundësi. Është e rëndësishme që fëmijët të jenë të lidhur me botën e internetit dhe bazat e të dhënave, të mund të përdorin tekste shkollore dhe përmbajtje digjitale, me çka do ta pasurojnë dijen e tyre, dhe të kalojnë më pak kohë duke luajtur video-lojëra”, tha Janevska, duke theksuar se iniciativa është veçanërisht e rëndësishme si mbështetje për familjet me të ardhura më të ulëta.

Ajo theksoi se edhe Qeveria gjatë dy viteve të fundit ka investuar në avancimin e shoqërisë digjitale, veçanërisht në digjitalizimin e arsimit, duke siguruar pajisje kompjuterike, tabela të reja interaktive dhe infrastrukturë rrjeti për internet pa tel të sigurt në mbi 160 shkolla. Në funksion është vënë edhe ditari i ri elektronik, ndërsa janë digjitalizuar të gjitha procedurat për realizimin e të drejtave arsimore.

“Është shumë më e lehtë dhe më e thjeshtë kur pushteti qendror dhe komunat punojnë në të njëjtin drejtim, në drejtim të digjitalizimit të arsimit, prandaj partneritete të tilla duhet të vazhdojnë. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë i thjeshtë: çdo fëmijë, pavarësisht mundësive familjare dhe vendbanimit, të ketë qasje në arsim bashkëkohor, cilësor dhe digjital. Kështu krijojmë kushte më të mira për nxënësit sot dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë shoqërinë nesër”, theksoi Janevska.

Në Komunën e Aerodromit këtë vit do të shpërndahen 850 pajisje tablet, me vlerë prej 5,3 milionë denarësh.

Accessibility Menu