Janevska: me një rrjet shkollor të optimizuar, kushte të përmirësuara për mësim dhe tekste shkollore për të gjithë nxënësit, nesër fillon viti i ri shkollor

Janevska: me një rrjet shkollor të optimizuar, kushte të përmirësuara për mësim dhe tekste shkollore për të gjithë nxënësit, nesër fillon viti i ri shkollor

Viti i ri shkollor 2026-2027 fillon nesër dhe mësimi për të gjithë nxënësit do të zgjasë deri më 10 qershor, përveç maturantëve, të cilët e përfundojnë më 17 maj. Rrjeti shkollor është optimizuar dhe në një numër të madh shkollash kushtet janë përmirësuar ndjeshëm. Janë siguruar tekste shkollore për të gjithë nxënësit, ndërsa për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore janë angazhuar numri më i madh i asistentëve arsimorë deri më tani.

 

Për këtë, sot në një konferencë për shtyp informoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, e cila u uroi sukses të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë.

 

„Për të tretin vit me radhë, tekstet shkollore janë siguruar në kohë dhe në tirazhin e kërkuar nga shkollat. Ato janë dorëzuar dhe që nesër mund t’u shpërndahen nxënësve. Jam e kënaqur që çështja e teksteve shkollore nuk është më një sfidë, siç ka qenë në të kaluarën. Këtë vit janë siguruar 622 mijë tekste shkollore dhe janë realizuar kursime prej 50 milionë denarësh krahasuar me vitin para se të merrja drejtimin e këtij institucioni“, tha Janevska.

 

Ajo informoi se janë siguruar tekste shkollore krejtësisht të reja dhe në tirazh të plotë për klasën e parë, të dytë dhe të tretë, duke qenë se këto tekste përmbajnë edhe fletë pune, si dhe për klasën e tetë dhe klasën e dytë të arsimit gjimnazial, ku do të mësohet sipas programeve të reja mësimore.

 

Në 620 objekte shkollore, nga gjithsej 1023 në arsimin fillor dhe të mesëm, mësimi do të zhvillohet në një ndërrim. Janevska tha se ky është një koncept për të cilin angazhohet Qeveria, sepse ofron më shumë përfitime, ndërsa më të rëndësishmet janë interesat e fëmijëve – përqendrim më i madh gjatë orëve mësimore, socializim më i madh, qëndrimi në shkollë për një kohë të mjaftueshme për të përvetësuar të gjithë materialin dhe për të fituar aftësitë e duhura.

„I mbështesim komunat që të vendosin mësimin në një ndërrim në sa më shumë shkolla dhe në këtë drejtim ndërtojmë objekte të reja dhe zgjerojmë hapësirat e klasave. Aktualisht, Ministria dhe Qeveria po i zgjerojnë kapacitetet e 14 shkollave në Qendër, Karposh, Aerodrom, Gjorçe Petrov, Butel, Ilinden, Gazi Babë dhe Gradsko, ndërsa 15 projekte të tjera do t’i fillojmë në mënyrë etapike gjatë muajve të ardhshëm“, tha ministrja.

 

Ajo shtoi se kanë përfunduar aktivitetet e rikonstruksionit në rreth 20 objekte shkollore dhe salla sportive. Gjithashtu, po ndërtohen katër salla të reja, të cilat shumë shpejt do të vihen në përdorim. Ajo rikujtoi se, përmes programit të Qeverisë për financimin e projekteve kapitale në komuna, aktualisht është duke u realizuar rreth 50 investime për ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave, si dhe për salla të reja sportive dhe pishina shkollore.

 

„Për t’ua lehtësuar procesin arsimor nxënësve me nevoja të veçanta arsimore, angazhojmë 1358 asistentë arsimorë në arsimin fillor dhe 166 në arsimin e mesëm. Për nxënësit që janë në trajtim më të gjatë spitalor ose në shtëpi, do të rikujtoj se është në dispozicion mundësia që e rregulluam me ligj vitin e kaluar – të përfshihen online në mësimin në klasë ose, në mënyrë individuale, mësuesi të punojë me ta“, theksoi Janevska.

 

Mësimdhënësit dhe të gjithë të punësuarit e tjerë në shkolla, në mars të vitit 2027 do të marrin një rritje të re të pagave prej 7,5 deri në 10%, në varësi të normës së inflacionit. Siç tha ministrja, rritja është në përputhje me marrëveshjen me SASHK-un e arritur para dy vitesh, përmes së cilës deri tani pagat janë rritur për mbi 20%, ndërsa rreth 300 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionalë kanë avancuar në titujt mentor dhe këshilltar, gjë që gjithashtu nënkupton rritje të të ardhurave personale. Janevska i falënderoi për përkushtimin e tyre ndaj nxënësve dhe tha se pret që marrëdhënia partnere të vazhdojë, në mënyrë që të krijohen gjenerata gjithnjë e më të mira.

 

Ajo vuri në dukje se trendi i uljes së numrit të nxënësve vazhdon. Sipas të dhënave të pranuara në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), vitin shkollor do ta fillojnë 238 mijë nxënës, prej të cilëve 174 mijë në arsimin fillor dhe 64 mijë në arsimin e mesëm. Për herë të parë në bankat shkollore do të ulen 14.952 nxënës të klasës së parë.

 

Për shkak se nuk kanë nxënës të regjistruar, nga shtatori do të mbyllen përkohësisht 26 shkolla periferike. Numri i përgjithshëm i objekteve shkollore të zbrazëta në Maqedoni, kryesisht në zonat rurale, është 148. Trendi negativ nxit gjithashtu riorganizimin e rrjetit shkollor dhe mënyrës së funksionimit të shkollave.

 

„Procesi për të cilin jemi angazhuar gjatë muajve të fundit është optimizimi i paraleleve në shkollat ekzistuese, që nënkupton bashkimin e paraleleve më të vogla me njëra-tjetrën ose bashkimin e tyre me paralelet më të mëdha, në interes të nxënësve – që të jenë në një shoqëri më të madhe, të mund të socializohen më mirë dhe të garojnë mes tyre. Nuk është sekret se prej vitesh kanë funksionuar, për shembull, dy paralele me nga dy nxënës të së njëjtës moshë dhe në të njëjtën shkollë. Tani i kemi bashkuar ato dhe për këtë arsye në sistemin arsimor këtë vit do të kemi 433 paralele më pak – 222 në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm“, shpjegoi ministrja.

 

Ajo shtoi se, edhe pse subjekte të caktuara politike u përpoqën ta paraqesin këtë si një hap të tmerrshëm dhe si kolaps të arsimit, në fakt bëhet fjalë për një ndryshim pozitiv në interes të nxënësve. Me këtë rast, siç tha ajo, asnjë mësimdhënës i punësuar me kohë të pacaktuar nuk është pushuar nga puna.

 

Në vitin e ri shkollor vazhdon kujdesi për nxënësit e talentuar, i cili në të kaluarën mungonte – ministria do t’i mbulojë plotësisht shpenzimet e udhëtimit dhe pjesëmarrjes në olimpiadat ndërkombëtare shkencore. Në shtator, familjet e nxënësve do të mund të blejnë mjete shkollore me çmim të reduktuar me pakicë prej të paktën 15%, për të cilën Qeveria ka marrë vendim. Në tetor do të shpallen konkurset për bursa për nxënës.

Accessibility Menu