Ndërtimi i partneriteteve është thelbi i programit Supershkollat. Kur një shkollë fiton shkollë partnere nga një vend tjetër, ајо është një lidhje e qëndrueshme dhe bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve, mësimdhënësve dhe çka është më e rëndësishmja - ndërmjet nxënësve, tha zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, në promovimin e shkëmbimit shkollor, në kuadër të Skemës për shkëmbim të shkollave në Ballkanin Perëndimor, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe e zbatuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Ky shkëmbim shkollor do të zhvillohet ndërmjet shkollës së mesme të Qytetit të Shkupit – gjimnazit “Josip Broz Tito” dhe shkollës së mesme “28 Nëntori” nga Shkodra, Shqipëri.
Duke theksuar, se për nxënësit ky lloj bashkëpunimi është i rëndësishëm, si një shkollë vlerash, zëvendësministri theksoi, se përmes shkëmbimit të rinjtë mësojnë për besimin, respektin, solidaritetin si dhe për hapjen ndaj diversitetit.
“Këto vlera, përmes shoqërimit, bëhen pjesë e personalitetit të tyre, të cilat të rinjtë i bartin më tej në jetë, në punë, në familje dhe në shoqëri. Kështu krijohen gjenerata që dinë të ndërtojnë bashkëjetesë e jo ndarje, gjenerata që dinë të bëjnë kompromis edhe nga dallimet më të mëdha. Kjo është e rëndësishme veçanërisht në këto hapësira të Ballkanit Perëndimor, të cilat mund të përfitojnë shumë, nëse gjeneratat që janë e ardhmja e tij i zëvendësojnë paragjykimet me hapje dhe veprim të përbashkët”, theksoi Sulejmani.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbështet programe të tilla, sepse hapja e shkollave të mesme ndaj përvojave të reja dhe ndërtimi i urave ndërmjet kulturave dhe popujve u mundëson nxënësve nga shtete të ndryshme të njihen mes vete, të rriten së bashku dhe të formohen, si qytetarë me botëkuptim të gjerë.
Zëvendësministri Sulejmani falënderoi RYCO dhe GIZ për përkushtimin dhe punën e tyre të vazhdueshme, në promovimin e mirëkuptimit ndërkulturor dhe ndërtimin e miqësive ndërmjet gjeneratave të reja, që jetojnë dhe mësojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.