Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska sot mori pjesë në krasitjen tradicionale të vreshtave të organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Bujqësisë dhe Ushqimit me rastin e festës së Shën Trifunit. Në këtë ngjarje u promovua projekti për modernizim dhe qëndrueshmëri përmes bujqësisë digjitale, ndërsa u prezantua edhe pajisja digjitale e siguruar përmes projektit, i cili mbështetet nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim e Sllovenisë.
„Është e domosdoshme të punojmë me ritëm të përshpejtuar në të gjitha sferat, veçanërisht në arsimin e lartë, sepse ai është baza për rritje më të lartë ekonomike, për progres teknologjik dhe zhvillim shoqëror. Vetëm me universitete të forta dhe shkencë produktive mund të ndërtojmë shtet modern që do të zhvillohet dhe do të jetë pjesë e barabartë e komunitetit global”, tha ministrja Janeska në fjalën e saj, duke theksuar se me paketën e ligjeve për arsimin e lartë, e cila është në procedurë, vendosen rregulla të qarta për funksionimin e universiteteve, me qëllim që të sigurohet shkencë cilësore dhe relevante, profesorë të përgjegjshëm dhe rezultate të dobishme për shoqërinë.
Forcimi i kritereve për avancim në titujt mësimorë-shkencorë në arsimin e lartë është hap kyç për sigurimin e cilësisë më të lartë të mësimdhënies dhe të shkencës.
„Kuadri mësimor, profesorët, janë ata që duhet të frymëzojnë përsosmëri te studentët që i dëgjojnë dhe i ndjekin. Cilësia e tyre matet përmes publikimeve në revista me faktor impakti. Ky është standard botëror. Pozicionimi i universiteteve në Listën e Shangajit është qëllim që e ka çdo vend dhe çdo universitet. Nuk kemi kohë për rezultate mesatare dhe zgjidhje gjysmake. Prandaj studentët më të mirë do të kenë përparësi kur bëhet fjalë për punësim në universitete. Në këtë mënyrë do të ndërtojmë një rini cilësore që do të forcojë shkencën dhe do të jetë shtytës i së ardhmes së vendit", potencoi ministrja Janevska.
Me dëshirën për prodhim të pasur, ministrja Janevska uron festën, duke shpresuar që të sjellë shëndet, bollëk dhe bashkim. Udhëheqësisë së Fakultetit të Shkencave të Bujqësisë dhe Ushqimit ju bëri thirrje që në të ardhmen të punojnë edhe më intensivisht në kërkime dhe aktivitete shkencore, dhe sa më shpejt të realizojnë idenë për themelimin e një hub-i inovacioni që do të ndihmojë në avancimin dhe digjitalizimin e bujqësisë.