Janevska: me tekste shkollore për të gjithë, kushte të përmirësuara infrastrukturore, inteligjencë artificiale në mësimdhënie dhe gjithëpërfshirje më të madhe fillon viti i ri shkollor

Janevska: me tekste shkollore për të gjithë, kushte të përmirësuara infrastrukturore, inteligjencë artificiale në mësimdhënie dhe gjithëpërfshirje më të madhe fillon viti i ri shkollor

 

Nesër fillon viti i ri shkollor 2025–2026. Mësimi do të vazhdojë deri më 10 qershor, me përjashtim të maturantëve, për të cilët orët e rregullta do të zgjasin deri më 15 maj. Janë siguruar tekste shkollore për të gjithë nxënësit ndërsa, për herë të parë pas shtatë vitesh, do të ketë edhe tekste shkollore për gjuhët e huaja. Në shumë shkolla janë përmirësuar ndjeshëm kushtet për zhvillimin e mësimit, ndërsa gjithëpërfshirja është rritur përmes angazhimit të një numri më të madh të asistentëve arsimorë në arsimin fillor, por edhe për herë të parë në arsimin e mesëm. Nxënësit do të njihen me përfitimet nga inteligjenca artificiale dhe do të mësojnë ta përdorin atë në mënyrë etike për qëllime arsimore. Do të njihen me përfitimet nga inteligjenca artificiale dhe do të mësojnë ta përdorin atë në mënyrë etike për qëllime arsimore.

 

Këto janë risitë për të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka punuar në periudhën e kaluar dhe për të cilat ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr. Vesna Janevska, foli në konferencën e sotme për shtyp, në të cilën tregoi se pret cilësi më të lartë të procesit mësimor në krahasim me vitet e kaluara.

 

"Viti i dytë shkollor me radhë fillon me tekste shkollore për të gjithë nxënësit.Tekste shkollore krejtësisht të reja ka për klasën e shtatë në arsimin fillor dhe për vitin e parë në shkollat e mesme - gjimnaz, për shkak të zbatimit të programeve të reja mësimore, dhe njoftoj se ky proces i përditësimit të përmbajtjeve mësimore do të vazhdojë. Për herë të parë pas shtatë vitesh, nxënësit do të marrin edhe tekste shkollore për gjuhët e huaja – anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht,” theksoi Janevska, duke potencuar se të gjithë janë botuar dhe mbi 90% e tirazhit tashmë është dorëzuar.

 

Ministrja theksoi se me Ligjin e ri për tekste shkollore, në përgatitjen e të cilit morën pjesë të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe të gjitha shtëpitë botuese në Maqedoni, është zgjidhur në mënyrë sistematike sfida me tekstet shkollore që zvarritej me vite. Nuk ka më lëndë në arsimin fillor pa tekste shkollore, nuk ka më përdorim të teksteve shkollore pa kontrata të lidhura dhe të drejta autoriale të rregulluara, dhe nuk ka më vonesa disa mujore në shpërndarjen e tyre.

 

Janë bërë edhe investime të mëdha për përmirësimin e infrastrukturës arsimore. Gjatë një periudhe prej një viti është nisur një cikël investimesh prej 67 milionë eurosh. Një pjesë e projekteve ndërtimore janë përfunduar, ndërsa një pjesë janë në fazë realizimi.

 

Janevska u shpreh se fillon zbatimi i ditarit të ri elektronik, i cili ka performancë dukshëm më të mirë se ai i mëparshmi, dhe mësimdhënësit do të mund të kyçen dhe të plotësojnë të dhëna në çdo moment.

 

“Inteligjenca artificiale hyn në mësimdhënie. Kam kënaqësinë të ndaj me Ju se është përgatitur manual gjithëpërfshirës për edukimin e mësimdhënësve dhe nxënësve, me udhëzime të qarta për përdorimin etik dhe efektiv të veglave të reja teknologjike për qëllime arsimore,” tha ministrja, duke shprehur falënderime ndaj profesorëve nga Fakulteti i Informatikës në Shtip. Ajo njoftoi edhe trajnime për mësimdhënësit të cilat do të pasojnë në fillim të vitit shkollor.

 

Gjithëpërfshirja në sistemin arsimor është ngritur ndjeshëm. Përveç 1.346 asistentëve arsimorë në shkollat fillore, për herë të parë do të ofrohet asistencë arsimore edhe për nxënësit e shkollave të mesme me nevoja të veçanta arsimore, të cilëve do t’u ndihmojnë 130 asistentë arsimorë. Për herë të parë është futur edhe arsimi formal për fëmijët që janë në trajtim të gjatë spitalor dhe ata nuk do të humbasin më mësimin. Në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore, ata do të mund të ndjekin mësimin online me klasën e tyre, ose mësimdhënësi do të punojë individualisht me ta.

 

“Besoj në cilësitë e mësimdhënësve dhe pres që ata të fillojnë vitin e ri shkollor të motivuar, në të cilin, sigurisht, do të kenë edhe rritje të re të pagave, ashtu siç kemi rënë dakord para 1 viti, nga 7.5% deri në 10% në varësi të nivelit të inflacionit, që të kemi rritje reale pa manipulime, siç kanë bërë strukturat e mëparshme,” shtoi Janevska.

 

Në vitin e ri shkollor, është siguruar mbështetje më e madhe për nxënësit e talentuar, përkatësisht mbulimin e plotë të shpenzimeve për pjesëmarrje në olimpiadat ndërkombëtare shkencore. Ndërsa për të gjithë nxënësit është mundësuar gjithashtu orientim profesional gjegjësisht orientim në karrierë.

 

Sipas të dhënave të deritanishme nga komunat, vitin shkollor e fillojnë 245 mijë nxënës, përkatësisht 177,800 në arsimin fillor dhe 67,200 në arsimin e mesëm.

Accessibility Menu