Janevska në Forumin Botëror të Arsimit në Londër: me vendosjen e objektivave reale dhe politikave të bazuara në fakte, përpiqemi ta përshpejtojmë zhvillimin e arsimit

Janevska në Forumin Botëror të Arsimit në Londër: me vendosjen e objektivave reale dhe politikave të bazuara në fakte, përpiqemi ta përshpejtojmë zhvillimin e arsimit

Nuk ka formulë për tranzicion të shpejtë të një sistemi arsimor nga faza e zhvillimit të hershëm drejt përsosmërisë. Nevojitet kohë dhe përkushtim i madh për realizimin e objektivave reale të vendosura paraprakisht dhe politikave të përcaktuara qartë, të cilat do të bazohen në fakte. Qeveria maqedonase po bën pikërisht këtë - politikat arsimore i bazon në analiza të realizuara dhe përmes kritereve të matshme e përcakton efikasitetin.

Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në panel diskutimin kushtuar krijimit të politikave të bazuara në fakte, në kuadër të Forumit Botëror të Arsimit në Londër, i cili për herë të 24-t organizohet nga Ministria e Arsimit e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra për Punë të Jashtme, Komonuelt dhe Zhvillim, Ministria për Biznes dhe Tregti dhe Këshilli Britanik.

“Në ditët e sotme kemi në dispozicion numër të madh të dhënash dhe është e rëndësishme që ato të analizohen dhe mbi bazën e tyre të krijohen politikat. Teknologjia, veçanërisht inteligjenca artificiale, na ndihmon në mbledhjen dhe përpunimin e tyre, por megjithatë në këtë proces faktori njerëzor është më i rëndësishmi dhe nuk mund të zëvendësohet”, tha Janevska.

Ajo gjithashtu përmendi shembuj se për institucionet në Maqedoni tregues i qartë i ndryshimeve janë rezultatet e nxënësve në testimet ndërkombëtare si PISA dhe TIMSS, të dhënat e detajuara nga lista e rangimit të universiteteve të Shangait, analizat dhe hulumtimet e organizatave si UNICEF, OECD dhe Banka Botërore, si dhe se jashtëzakonisht relevant në krijimin e politikave është edhe mendimi i matur i mësimdhënësve, shërbimeve profesionale, prindërve dhe nxënësve. Siç tha ajo, të gjithë duhet t’i dinë rezultatet e analizave dhe arsyet e ndryshimeve dhe të marrin pjesë në ndryshimin e gjendjeve.

Përveç Janevskës, në panel diskutim u drejtuan edhe Alfa Bakar Beri, ministër për Arsim Profesional, Trajnim dhe Punësim i Guinesë, Andreas Shlajher, drejtor për Arsim dhe Aftësi në OECD, dhe Berdxh Akijan, drejtor ekzekutiv i organizatës Klas Link. Folësit u pajtuan se, edhe pse institucionet në shumë vende nuk kanë detyrim ligjor për të mbledhur dhe përdorur prova gjatë krijimit të politikave, megjithatë kjo siguron legjitimitet të procesit.

Forumi Botëror i Arsimit është tubimi më i madh global i ministrave të Arsimit dhe Aftësive, i cili organizohet për herë të 24-t. Këtë vit, tema e forumit është: “Arsim për një të ardhme të përbashkët: Paqe, planet, qëllim dhe rrugë”.

Siç theksojnë organizatorët e forumit në kohë pasigurie globale dhe përshkallëzimi të tension-eve gjeopolitike, rritjes së pabarazive, intensifikimit të krizave klimatike dhe ndryshimeve të shpejta teknologjike, arsimi është forcë kyçe dhe burim i qëndrueshmërisë, inovacionit dhe kohezionit social. Vetëm përmes investimit në njohuritë, aftësitë dhe vlerat e të rinjve mund të ndërtohen shoqëri të orientuara drejt paqes, drejtësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Accessibility Menu